Pelegrinët myslimanë në Arabinë Saudite përfunduan të dielën Haxhin, që këtë vit është zhvilluar me një numër shumë të kufizuar personash për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vetëm rreth 10,000 myslimanë kanë marrë pjesë në pelegrinazhin e këtij viti, në krahasim me më shumë se 2 milionë myslimanë të 180 shteteve të botës që kanë qenë zakonisht atje vitet e kaluara. Në ditën e fundit, pelegrinët me maska kanë hedhur gurë drejt murit që simbolizon djallin në Mina, afër qytetit të shenjtë Meka.
Në vend që vetë pelegrinët ti mblidhnin gurët, siç ndodh zakonisht, autoritetet e Haxhit u kanë ofruar atyre gurë të sterilizuar.
Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin. Ministria për Haxh dhe Umrah e Arabisë Saudite ka thënë muajin e kaluar se vetëm “një numër i kufizuar i myslimanëve” që jetojnë në Arabinë Saudite, do të mund të jenë pjesë e organizimit.
Vendimi për të mos lejuar pelegrinë nga vendet tjera, përveç atyre në Arabinë Saudite nga kryerja e Haxhit, është i pari në historinë moderne të mbretërisë saudite. Autoritetet shëndetësore kanë thënë se asnjë rast me koronavirus nuk është raportuar në vendet e shenjta përgjatë kësaj periudhe. Pas përfundimit të ritualit, pelegrinëve do t’iu kërkohet të hyjnë në karantinë të detyrueshme.
Top Channel