Pavarësisht shqetësimeve për shpërthime të reja të koronavirusit në Evropë, dhjetëra mijëra nxënës gjermanë janë kthyer në shkollë më 3 gusht, pas përfundimit të pushimeve verore në landin verior, Mecklenburg-Vorpommern.
Ky njëherësh është landi i parë gjerman, nga 16 sa janë në total që ka marrë vendim për hapje të shkollave prej përhapjes së koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, në mesin e muajit mars.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka bërë të ditura lajmet për testim të detyrueshëm për udhëtarët që kthehen në Gjermani nga vendet me rrezik të lartë.
“Ne kemi draftet e para. Ne duam që ta koordinojmë këtë gjë me landet, sepse atyre u duhet ta zbatojnë vendimin në aeroporte dhe stacione të trenit”.
Më 1 gusht, në Berlin janë mbajtur protesta të mëdha kundër kufizimeve të vendosura me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, raporton ALSAT.
Zyrtarët policorë kanë thënë se mbi 17,000 persona kanë qenë pjesë e marshit, ndërkohë që një tjetër organizim pasues ka mbledhur rreth 20,000 persona.
Për shkak që shumë protestues nuk kanë mbajtur distancën e kërkuar apo nuk kanë vendosur maskën, policia ka thënë se është detyruar të ndërhyjë.
Gjermania ka menaxhuar pandeminë me koronavirus relativisht mirë, ndonëse në javët e fundit është përballur me rritje të numrit të të infektuarve.
Sipas zyrtarëve, shifrat e reja lidhen me pushimet verore jashtë shtetit, punëtorët migrantë dhe banorët që nuk kanë respektuar protokollet shëndetësore.
Top Channel