Ndërron jetë nëna e kryeministrit, Rama: Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë. Prehu në paqe mam!

01/08/2020 09:08

Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare nëna e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama.

Lajmin e hidhur e ka ndarë vetë kryeministri, me një postim të bërë ne faqen e tij në Facebook. Kryeministri i jep lamtumirën nënës, ndërsa ndër rreshta shkruan “Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë.”

Postimi i plotë:

“Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam.”

Kush ishte Aneta Rama

Aneta Rama ka qenë një nga stomatologet e para të mjekësisë shqiptare e nderuar nga Urdhri I Stomatologut Shqiptar me çmimin ‘Nderi i Stomatologjisë Shqiptare’. Në vitin 1955 Aneta Rama filloi studimet universitare në Poloni dhe u diplomua si mjeke stomatologe në vitin 1961 në brezat e parë me arsimim të plotë universitar në dentistri dhe filloi punë si mjeke stomatologe në poliklinikën e qytetit të Vlorës, klinikë e porsathemeluar në vitin 1959. Më pas u transferua si stomatologe në Tiranë, ku punoi si drejtuese për shumë vite në disa poliklinika të kryeqytetit. Nga martesa me skulptorin e njohur Kristaq Rama ajo pati dy fëmijë Olsi dhe Edi Ramën.

Aneta Rama vuante prej kohësh nga një sëmundje të rëndë. Dy vite më parë ajo ju nënshtrua një operacioni të vështirë dhe gjendja e saj ishte delikate. Për shkak të sëmundjes daljet e saj në publik kanë qenë të rralla.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel