Prokurorët zvicerjanë kanë nisur hetimet kundër kreut të trupit botëror të futbollit, Gianni Infantino në lidhje me një takim sekret që supozohet se është mbajtur mes Fifas dhe prokurorit të përgjithshëm zvicerjan në detyrë, Michael Lauber.
Lauber javën e kaluar dha dorëheqjen pasi një gjykatë tha se ka fshehur të dhënat mbi takimin dhe ka gënjyer ndaj eprorëve të tij gjatë hetimeve për korrupsion mes radhëve të Fifa.
Fifa thotë se Infantino dhe vetë organizata “do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimet”.
Në deklaratën zyrtare të Infantino, thuhej: “Si president i Fifa, ka qenë qëllimi im kryesor prej ditës së parë të ndihmoj autoritetet në hetimet me shkeljet e kaluara. Zyrtarët Fifa janë takuar me prokurorët e të gjithë vendeve të botës për këtë qëllim.”
Ndërsa zyra e Lauber tha se ai tashmë ka ofruar dorëheqjen të martën dhe se dita e tij e fundit në punë do të jetë 31 gushti.
Zhvillimi vjen pasi prokurori special Stefan Keller zbuloi të dhëna për sjellje kriminale në takimet e dy personave të përmendur. Prokuroria zvicerjane tha: “Kjo ka lidhje me abuzimet me postin, shkeljen e akordit të sekretit, ndihmë ndaj shkelësve dhe nxitje ndaj akteve të paligjshme”.
Selia kryesore e Fifas bazohet në qytetin zvicerjan të Zurich.
Top Channel