‘Gjigantët’ në kongres, fuqia e kompanive teknologjike

30/07/2020 13:31

Shefat ekzekutivë të katër kompanive më të mëdha teknologjike të botës Apple, Amazon, Facebook dhe Google u përballën me pyetjet e ligjvënësve amerikanë, lidhur me mënyrën se si e përdorin fuqinë e konsiderueshme që ato kanë mbi tregun.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Amazon, Jeff Bezos mbrojti praktikat e biznesit të kompanisë së tij, duke u thënë anëtarëve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve se “80% e amerikanëve kanë në përgjithësi përshtypje pozitive” për kompaninë e tij. Seanca u zhvillua ndërkohë që rregullatorët amerikanë po shqyrtojnë nëse gjigantët e teknologjisë, përmes dominimit në disa tregje, po mbysin konkurrencën dhe po shkelin ligjet anti-trust.

Krerët e kompanive u pyeten nga ligjvënës të të dyja partive, të cilët prej një viti po hetojnë rreth çështjeve të konkurrencës në këtë fushë. Seanca ku morën pjesë Tim Cook i kompanisë Apple, Mark Zuckerberg i rrjetit social Facebook, Sundar Pichai i kompanisë Google dhe Bezos, është një shenjë se bëhet fjalë për fatin e bizneseve të tyre, thonë analistët ligjorë. Vëllimi vjetor i shitjeve të këtyre firmave të marra së bashku është pothuajse sa prodhimi i brendshëm i përgjithshëm i Arabisë Saudite.

Seanca ishte e paprecedentë pasi asnjëherë më parë nuk ishin shfaqur të gjithë drejtuesit e këtyre kompanive së bashku para ligjvënësve, pavarësisht se përmes videokonferencës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ishte hera e parë që Jeff Bezos, personi më i pasur në botë, dëshmonte para Kongresit. Vetë Trump i ka kritikuar kompanitë duke thënë se “nëse Kongresi nuk vendos drejtësi për kompanitë e mëdha teknologjike, gjë që duhet ta kishte bërë vite të shkuara, do ta bëj vetë një gjë të tillë me Urdhër Ezkekutiv”.

Top Channel