Bashkimi Evropian tha se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet pasi të gjitha palët të pajtohen për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të bien dakord që normalizimi mund të vazhdojë në formën e marrëveshjes së nënshkruar.

Komentet u bënë nga zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, të enjten në Bruksel.

Ekipet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia janë duke marrë pjesë në një raund bisedimesh sot në Bruksel, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Është ky takimi i dytë i tillë në një javë, që ndërmjetësohet nga i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Stano konfirmoi më herët se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Të mërkurën, Stano ka mohuar njoftimin e disa mediave në Serbi se Bashkimi Evropian është duke përgatitur një ultimatum për Beogradin, në raundin e sotëm të bisedimeve.

Më 29 korrik, gazeta serbe “Veçernje Novosti” ka shkruar se delegacionit të Beogradit do t’i dorëzohet një draft-marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen de fakto të Kosovës nga ana e Serbisë.

Stano ka thënë se i mohon këto spekulime.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në nivelin më të lartë, ka rinisur më 16 korrik, me një takim midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA