BE, kufizimi i udhëtimeve/ Masa të ndryshme në vendet anëtare

30/07/2020 13:59

Duke filluar nga java e ardhshme, Gjermania do ta bëjë të detyrueshëm testimin e udhëtarëve që vijnë nga “zonat e rrezikut”.

Por që tani në BE ka një numër të madh rregullash për hyrje-daljet që ndryshojnë nga vendi në vend. Suedia dhe Greqia nuk kanë kufizime për vizitat turistike. Letonia kërkon nga udhëtarët që vijnë në Belgjikë që të hyjnë për 14 ditë në karantinë. Belgjika, nga ana e saj, e konsideron Letoninë si zonë rreziku “ngjyrë portokalli” e për pasojë vizitorëve nga Belgjika u rekomandohet karantinimi, por jo i detyrueshëm.

Ndërsa Belgjika e ndalon rreptësisht hyrjen në të nga disa zona të Portugalisë dhe Spanjës, të cilat konsiderohen si vatra të nxehta të pandemisë. Çdo vend i BE-së ndjek rregullat e veta, ka përkufizimet e veta. Ka disa që kërkojnë plotësimin e një formulari, të tjerë preferojnë një regjistrim online para se të hyjnë në vend. Të tjerë e lejojnë hyrjen kur tregon testin negativ të bërë në vendin e origjinës. Ka konfuzion për faktin se nuk ka një përkufizim të njëjtë në të gjitha vendet e BE-së për ato që konsiderohen “zona rreziku”.

Në Gjermani këto zona i përcakton insituti “Robert Koch”. Në listën me 130 vende të tij, nga vendet anëtare të BE-së, vetëm Luksemburgu konsiderohet si “vend rreziku”, veriu i Spanjës, jo. Agjencia Evropiane për Kontrollin e Epidemive, me seli në Stockholm përpiqet të identifikojë rregullisht zonat në rrezik. Ajo mbledh të dhënat e të gjitha vendet anëtare dhe publikon një hartë, të ndarë në rajone, sipas përqindjes së infektimeve të reja. Në hartën e së mërkurës, si vatra të nxehta, identifikoheshin Veriu i Spanjës, Lisbona, Flandra, Luksemburgu, Suedia si edhe pjesë të Rumanisë dhe Bullgarisë. Gjermania, Italia, Franca, vendet baltike e Greqia kanë pasur në 14-ditëshin e fundit nga 20 infektime të reja në 100 000 banorë. Kjo është shifra që ECDC-ja e ka vendosur si referencë.

Por as për këtë shifër nuk ka një qëndrim të përbashkët në BE. Ajo varion nga 16 deri në 50 raste të reja për 100 000 banorë.

Top Channel