Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin dhe shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows ishin përsëri në Kongresin amerikan të mërkurën për bisedime me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësin e pakicës demokrate në Senat Chuck Schumer.
Të dyja palët e pranojnë se janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje mbi shifrat përfundimtare të ndihmës. Republikanët po propozojnë afro 1 trilion dollarë në variantin e tyre të ndihmës ekonomike që njihet si projekt-ligji HEALS. Demokratët po përdorin variantin e tyre prej 3 trilion dollarë, projekt-ligji HEROES, të miratuar në fillim të vitit si pikënisje e negociatave. Kongresi miratoi ligjin CARES prej 2.2 trilion dollarësh në fund të marsit për të trajtuar mbylljen e biznesve dhe shifrat historike të papunësisë të shkaktuara nga mbyllja e ekonomisë në ditët e para të pandemisë.
Dispozitat e paketës së ndihmës CARES që siguroi 600 dollarë në javë shtesë për asistencën e papunësisë për dhjetëra milionë amerikanë që humbën punën, do të skadojnë këtë fundjavë. Kongresi duket se nuk ka gjasa të negociojë për zgjatjen e këtyre përfitimeve përtej afatit që ata kanë caktuar në fund të korrikut.
Republikanët kanë sugjeruar uljen e ndihmës për papunësinë nga 600 dollarë në javë në 200 dollarë në javë, me programet shtetërore që përfundimisht do të zëvendësojnë ndihmën federale.
Por demokratët thonë se kjo është e papranueshme kur papunësia në vend është kaq e lartë. “Dua ta bëj të qartë se 600 dollarëshi duhet të jetë pjesë e marrëveshjes”, tha për gazetarët të mërkurën udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Steny Hoyer.
Sekretari Mnuchin po propozon një projektligj afatshkurtër që do të zgjaste përfitimet dhe do të lejonte ligjvënësit që të merrnin pushimet e tyre tradicionale të muajit gusht. Zonja Pelosi tashmë ka hedhur poshtë këtë qasje për negociatat.
Udhëheqja republikane po ashtu po përballet me mosmarrëveshje të konsiderueshme brenda radhëve, me disa anëtarë të shqetësuar se qeveria nuk mund të hedh para vazhdimisht për të trajtuar krizat ndërsa borxhi kombëtar po shkon afro 25 trilion dollarë.
Pasi kishte hedhur poshtë propozimin e nga senatorët republikanë si “pothuajse i parëndësishëm”, Presidenti Trump tha para gazetarëve të mërkurën se, “Duhet të punojmë që njerëzit që nuk mund të paguajnë qeranë të mos hidhen në rrugë. Ne punojmë që njerëzit të kenë të ardhura dhe gjërat e nevojshme, jemi shumë larg në këtë pikë. Na intereson kujdesi për njerëzit dhe jo gjërat e tjera.”
Udhëheqësi i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell tha të mërkurën se propozimi i republikanëve do të “ofronte një raund tjetër ndihme ekonomike për familjet, më shumë se 3 mijë dollarë për një familje me katër anëtarë, me mbështetje më të lartë për moshat e rritura që varen nga familja. Një raund tjetër përfitimesh federale për papunësinë, ndihmë e cila përndryshe thjeshtë do të skadojë. Dhe një tjetër raund në bazë të Programit të Mbrojtjes së Pagës për të parandaluar pushime të tjera nga puna dhe siguruar që punonjësit amerikanë të marrin paga.”
Por demokratët në Dhomën e Pëfaqësuesve dhe disa senatorë republikanë i kanë kundërshtuar disa dispozita që nuk kanë lidhje me projektligjin për ndihmën ekonomike./VOA/