Opozita e bashkuar kërkon mbledhje sot në 18:00 të Këshillit Politik.

“Opozita e Bashkuar është e gatshme që të vijojë dialogun politik, në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, duke mos ndërmarrë hapa të njëanshëm që shkelin Marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe zhbëjnë Marrëveshjen e 5 Qershorit”, thuhet në deklaratë.

Njoftimi

Në vijim të mbledhjes së djeshme, ripërsërisim vullnetin e Opozitës së Bashkuar, për të vijuar punën bashkërisht për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët, me qëllim arritjen e konsensusit për çdo ndryshim, kushtetutes apo ligjor, që prek zgjedhjet. Ky ishte qëllimi për të cilin bashkërisht ramë dakord për ngritjen e Këshillit Politik.

Në këtë kuptim, ritheksojmë edhe njëherë gatishmërinë tonë për të vijuar dialogun, me qëllim ecjen përpara në një proces gjithëpërfshirës dhe një produkt konsensual.

Propozimi juaj për t’i bërë fakt të kryer ndryshimet e njëanshme kushtetuese shkatërron konsensusin, shkel marrëveshjet e 14 Janarit dhe 5 Qershorit të nënshkruara nga vetë Partia Socialiste, dhe sjell pasoja të rënda për stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit.

Opozita e Bashkuar paraqiti këtë propozim në mbledhjen e datës 28 Korrik 2020:
1. Të ndalet ndryshimi i njëanshëm kushtetutes.
2. Të punohet bashkërisht, pa humbur kohë, për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë.
3. Të shfrytëzohet kjo kohë që të detajohen rregullat shoqëruese në Kodin Zgjedhor, me qëllim që ndryshimi kushtetues dhe rregullat shoqëruese të Kodit Zgjedhor për hapjen e listave, të shkojnë si një paketë e vetme për miratim në Parlament.

Opozita e Bashkuar është e gatshme që të vijojë dialogun politik, në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, duke mos ndërmarrë hapa të njëanshëm që shkelin Marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe zhbëjnë Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ju sjellim në vëmendje se çdo akt i njëanshëm, aq më tepër akte që prekin drejtpërdrejt zgjedhjet, cënojnë rëndë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisjet që dalin prej tyre. Gjithashtu, çdo akt i njëanshëm, është një hap me pasoja të rënda që në vend që të kontribojë në procesin e integrimit europian, e pengon atë duke izoluar Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këto arsye, gjithëpërfshirja dhe konsensualiteti është rruga e pashmangshme, në të mirë të Shqipërisë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Në këtë kuadër, propozojmë mbledhjen e Këshillit Politik, ditën e sotme, 29 Korrik 2020, ora 18:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA