Në Gjirokastër janë drejt finalizimit konsultimet publike të cilat lidhen me ndërhyrjet në disa muzeume kryesore të qytetit.
Mbështetja vjen prej Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe planifikohet ndërhyrja në muzeun etnografik, muzealizimi dhe interpretimi i duhur i tij gjithashtu muzealizimi dhe interpretimi i shtegut të “Sokakaut të të Marrëve” dhe shtegun “Kronikë në gur” që lidhen me shtëpinë e Ismail Kadaresë në Gjirokastër dhe se fundi shtegu i Edward Lear dhe ushtarëve që e kanë përshkuar ndër shekuj Gjirokastrën.
Tritan Pistoli ekspert social: Gjirokastra trashëgoi nga e kaluara e socializmit një rrjet të degraduar muzeumesh që nuk plotësojnë as standardet minimale të sigurisë, funksionalitetit dhe që kanë probleme madhore të konceptimit dhe përmbajtjes. Muzeu Etnografik njëherazi i identifikuar si shtëpia e Enver Hoxhës ka një identitet të dyfishtë dhe mungon plotësisht origjina datimi dhe skedat për objektet e ekspozuara. Muzeu Kadare është larg modelit të një muzeu universal dhe megjithëse i konceptuar së fundi nuk është interaktiv me vizitorët.
Elena Mamani arkitekte:I gjithë rrjeti i muzeumeve dhe ajo çfarë përfaqëson ofertën e turizmit kulturor dhe historik në Gjirokastër ka vlerë që të rishihet. Specialistët shpesh kanë kërkuar rivlerësimin dhe rikonceptimin e muzeumeve, sidomos të disa muzeumeve kryesorë të cilët ende kanë përmbajtje ideologjike. Shumë prej tyre nuk po rishkohen që prej periudhës së komunizmit kohë në të cilën edhe janë krijuar.
Top Channel