​Rëndohet situata me Covid-19 në Kosovë, Hoti kërkon të aktivizohet Plani i Reagimit Kombëtar

29/07/2020 14:28

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës kërkoi që të aktivizohet Plani i Reagimit Kombëtar pasi sipas tij, vendi ka hyrë në një situatë të rëndë me Covid-19.

Sipas kryeministrit Hoti, ndonëse ishte parashikuar që vala e dytë e pandemisë të vijë në vjeshtë, duket se qysh tash vendi ka hyrë në këtë fazë.

“Pritjet kanë qenë që në vjeshtë ne të përgatitemi për fazën e dytë, por duket se qysh tash veç kemi hyrë në këtë fazë, duke qenë kështu unë kërkoj që të aktivizohet plotësisht Plani i reagimit kombëtar i cili është në fuqi dhe parash angazhimet e të gjitha ministrive përkatëse dhe institucioneve mbështetëse të nivelit qendror edhe të nivelit lokal. Si dhe angazhimin e sektorit privat, të cilin ne veç me vendime individuale të qeverisë i kemi paraparë, siç është ta zëmë testimi ose resurset e sektorit privat, spitalet në veçanti për të menaxhuar situatën. Por në planin e reagimit kombëtar janë të detajuara të gjitha obligimet që i ka sektori publik dhe sektori privat karshi kësaj situate”, theksoi Hoti.

Po ashtu qeveria sot vendosi që mjekëve dhe infermierëve t’u paguajnë edhe nga dy paga shtesë prej 300 euro për muajin korrik dhe gusht. Ministrja e Financave Hykmete Bajrami the se janë përcaktuar edhe kriteret për stafin mjekësor i cili do të kompensohet nëpërmjet këtij vendimi. Ky vendim vlen për mjekët dhe infermierët që kanë qenë dhe janë aktiv gjatë kësaj periudhe.

“Me qëllim të mbështetjes sa do pak të personelit që është në vijën e parë të frontit kundër pandemisë ne propozojmë që infermierëve dhe mjekëve t’iu ndahet shtesa në pagë prej 300 euro. Shtesat do të merren për muajin korrik dhe gusht për një herë dhe në bazë të listave të cilat do të autorizohen dhe do të procedohen dhe paguhen në muajin gusht për të dy muajt në mënyrë retroaktive”, theksoi Bajrami.

Në këtë mbledhje të Qeverisë është miratuar edhe raporti gjashtëmujor i buxhetit 2020, ku sipas ministres së Financave, në këtë periudhë shpenzimet janë rritë për 4 përqind, ndërsa të hyrat buxhetore kanë shënuar rënie për 11 përqind.

“Gjithsej pranimet gjatë gjashtëmujorit arritën vlerën prej 989. 67 milionë euro apo 85.94 milionë më pak krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, ndërsa gjithsejtë pagesat arritën vlerën prej 933.73 milionë në një rritje prej 4 përqind. Pra, kemi një rënie të pranimeve prej rreth 11 përqind dhe një rritje të shpenzimeve prej rreth 4 përqind si rezultat i menaxhimit të shpenzimeve që ka shkaktuar pandemia Covid-19”, tha Bajrami.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të saj ka miratuar kalendarin për rritjen e akcizës së duhanit.Ministrja e Financave gjatë prezantimit të propozimit tha se, ka hapësirë për rritjen e kësaj akcize. Kalendari i akcizave do të jetë si në vijim, nga data 1 shtator 2020 ngritët për 1 euro dhe do të jetë 48 euro për kilogram. Nga data 1 janar 2021 ngritët për 1 euro dhe do të jetë 49 euro për kilogram. Nga data 1 janar e vitit 2022 ngritët për 2 euro dhe do të jetë 51 euro për kilogram. Qeveria e Kosovës sot miratoi edhe shpronësimin e tokave për tri projekte të cilat do të zhvillohen në tri komuna të Kosovës, si dhe vendimin për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike 2021-2023. /Kosova Press/

Top Channel