Reflektimi nga pandemia/ Ylli Demneri tregon izolimin: Leximi ishte më i mirë!

27/07/2020 20:03

Ylli Demnerin e gjetëm për shumë pak kohë në Shqipëri.

Ai do të na flasë për periudhën e vet të karantinës, për krijimet. Për letërsinë e tij fragmentare në kryesisht pesë botimet e fundit, por njëkohësisht edhe reflektimet dhe ndikimin e gjithë kësaj periudhe jo vetëm ne Shqipëri por edhe në artin botëror.

“Të vetëmbyllesh në një farë mënyre nuk është shumë e lehtë. Ka disavantazhe. Nga eksperienca ime personale do te thoja qe nuk humbja kohë nëpër metro. Kjo është gjë e mirë. Por mungojnë piketimet e ditës. Ndoshta dhe unë mund të kem kaluar ndonjë depresion të lehtë nga kjo çoroditje e orareve”.

Koha u duk sikur ndaloi dhe ne vumë re gjëra qe në nxitim e sipër duket se kishin humbur rëndësinë. Krijuesit reflektuan kohën e vështirë në artin e tyre.

“Zbulimi i detajeve shumë të vogla. Unë kurrë nuk e kisha vëne re se ç’ishte ndryshimi i përditshëm i njç luleje që çel. Njëkohësisht duke patur më tepër kohë se ditët e tjera edhe leximi ishte më i madh”.

 

Nëse flasim për botimet e fundit të Demnerit natyrshëm i lidhim ato me fragmetin.

“Fragmentin unë e kam zbuluar në Francë. Si vlerë letrare e kam zbuluar në Francë, sidomos nga leximet e Roland Barthes. Ne momentin që zbulova fragmentin, gjeta veten”.

Tani ne kemi më shumë kohë dhe koha më cilësore mbeten leximet e verës.

“Cvajgu mbetet një modern i të gjitha kohërave, i mrekullueshëm. Gjithashtu romanet e Kadaresë. Kur lexon në origjinal një shkrimtar si Kadareja, ne shijojmë peshën që ka fjala”.

/Jetona Kocibelli/

Top Channel