Në vijim të operacionit Forca e Ligjit u janë nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, pesë shtetasve.
Bëhet fjalë për Kastriot Maksuti, banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”; Nek (Skënder) Driza, banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; Arjan Kapo, banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”; Arben Plaku, banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”; Eduart Myftari, banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Vjedhja me armë”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Top Channel