Lufta kundër krimeve të rënda/ Kosova dhe EUROPOL firmosin marrëveshje bashkëpunimi

27/07/2020 16:28

Kosova dhe Agjencia e Inteligjencës së Bashkimit Evropian, EUROPOL, kanë nënshkruar të hënën një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim që të luftohen krimet e rënda.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që nënshkroi këtë marrëveshje, tha se ajo do të avancojë dhe forcojë kapacitetet e Kosovës në luftimin e kriminalitetit. “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje pune, kemi forcuar dhe avancuar punën në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimit”, tha Veliu.

Grupet kriminale nuk njohin kufi, tha ministri Veliu, duke shtuar se Kosova ka qenë e hendikepuar nga mungesa e informacioneve në kohë reale, me qëllim që të parandalojë këto dukuri. “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Policisë së Kosovës dhe agjencive të zbatimit të ligjit, do t’u ofrohen mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme për të goditur fuqishëm kriminalitetin transnacional”, tha ministri Veliu.

Veliu njoftoi se po ashtu do të nënshkruhen edhe dy memorandume bashkëpunimi me EUROPOL-in, të cilat do të mundësojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. “Përmes kësaj marrëveshjeje, Policia e Kosovës trajtohet në mënyrë të barabartë ashtu si policitë e shteteve të rajonit. Njëkohësisht pritet që shumë shpejt të dërgohen zyrtarët e Policisë së Kosovës në selinë qendrore të EUROPOL-it në Hagë”, tha Veliu.
Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, por që kanë oficerë ndërlidhës në EUROPOL. Kosova ishte vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk kishte marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.

Top Channel