Një lajm i mirë për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pas tre mijë emrave të parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh sot online për të miratuar pagesat ‘cash’ për 1566 familje, shtëpitë e të cilave pësuan dëme që mund të riparohen, të kategorisë DS1, DS2, DS3. Qytetarët do të duhet të kontrollojnë emrin e tyre në listat e afishuara pranë çdo njësie administrative dhe të nënshkruajnë menjëherë kontratën që u mundëson marrjen e pagesës në postë ose në bankë.
Por, veç pagesave për 1566 familjet, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rindërtimin e 150 banesave të reja individuale, të shpallura si të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Bëhet fjalë për shtëpitë individuale në zonat rurale të qytetit, të cilat i shtohen 200 ndërtesave të miratuara më herët, që kanë nisur të rindërtohen tashmë.
Gjer në marrjen e çelësit të banesës së re apo apartamentit të ri, familjet, banesat e të cilëve janë shpallur të pabanueshme, do të vijojnë të përfitojnë nga Bashkia e Tiranës bonusin e qirasë. Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, u miratua trajtimi me bonus qiraje për 40 familje të tjera nevojë, por nuk janë të prekura nga tërmeti.
Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me kontratat që Bashkia e Tiranës lidh me banorët aplikues te Fondi i Komunitetit. Nga ky projekt përfitojnë banorët e pallateve, të cilët kanë zgjedhur një administrator të certifikuar nga bashkia, për të kryer ndërhyrje si veshje ‘kapotë’, instalim ashensori, mirëmbajtje etj. Bashkia e Tiranës vendos 50% të vlerës së investimit të nevojshëm.
Ndërkaq, deri në ndërtimin e Kampusit të ri Universitar në Kodër Kamëz, Këshilli Bashkiak miratoi shkrirjen e dy shoqërive të konvikteve studentore, atë të “Qytetit Studenti” në Universitetin Bujqësor me atë të Tiranës. Pas ndërtimit të Kampusit të ri, ky staf do të rikthehet të shërbejë pranë Universitetit Bujqësor.
Në Këshillin Bashkiak të Tiranës u miratua edhe një ndihmë financiare për familjen e vajzës 15-vjeçare nga Paskuqani, e cila ra pre e abuzimit. Në bazë të këtij vendimi, bashkia merr përsipër të paguajë qiranë e banesës për një vit, për të ndihmuar familjen në kapërcimin e situatës.
Vendimi tjetër ka të bëjë me shtyrjen me një vit të afatit të punës së Komisionit dhe grupit të këshillimit për emërtesat në qytetin e Tiranës. Ky grup pune ka kryer një punë të mirë për emërtimin e rrugëve në Kryeqytet, me vendosjen e emrave të rinj apo heqjen e dublikimeve.
Top Channel