Edhe 3 ditë na ndajnë nga data e zhvillimit të zgjedhjeve në universitete.

Ndërkohë që kandidatët që garojnë për organet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë po vijojnë me prezantimin e platformave për mënyrën se si duan të udhëheqin nëse fitojnë mandatin 4-vjeçar, ndërsa Komisionet institucionale të zgjedhjeve po merren me bazat materiale për t’i shpërndarë më tej në qendrat e votimit të cilat në 30 korrik do të hapen në orën 8 dhe koha e votimit do të jetë deri në orën 16.

“Fletët e votimit sot merren nën administrimin tonë . Në të njëjtën kohë siç e shikoni bazat materiale për mëngjesin e hershëm të 30 korrikut është e gatshme. Listat zgjedhore gjithashtu. Por risia e kësaj radhe është që sindikata e pavarur e pedagogëve ka arshivuar kërkesën për tu përfshirë në procesin e votimit. Ndërsa janë masat e reja duke u ndjekur sipas protokollit të Universitetit të Tiranës, aktit të qeverisë për maskat e detyrueshme dhe ne si KIZ kemi pasuruar vetëm një element që lidhet me momentin e nënshkrimit e përdorimit të stilolapsit që do përdoret nga shumë duar , atëherë është e nevojshme kemi menduar përdorimi i dorezave. Akti i detyrueshëm fillon që në hyrje në fakt me matjen e temperaturës, merr vesh në cilën qendër votimi është dhe ndjek sinjalistikën që është e detyrueshme 2 metra larg njëri tjetrit , i bashkohet edhe një poster me të gjitha rregullat që studenti apo personel akademik qoftë duhet të zbatojë në momentin e votimit”, shprehet Majlinda Keta.

Pavarësisht masave mbrojtëse të marra, rektori aktual në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni thotë se në 30 korrik nuk do të zhvillohen zgjedhje pasi nuk e njeh Komisionin Zgjedhor si dhe për mospërfshirjen e të gjithë studentëve në votime prej pandemisë Covid-19.

“Ngërçi është me të vetmin njeri të veçuar që është rektori dhe pjesa tjetër është kjo që shihni ju përfshirja e njerëzve pjesëmarrës në kandidime . Ne jemi gati duke bërë ftesën për pjesëmarrje”, përfundon Keta.

Top Channel