Djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha nuk ka deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive aksionet në kompaninë ‘Logal’ sh.p.k.
Përmes kësaj kompanie ai ka blerë 3 parcela arë për një total prej 6.183 metra katrorë dhe 3 parcela te tjera truall prej 14.220 metra katrore nga të cilat 5.066.5 metra katrorë godinat, tek kompania ‘Abduramani’ sh.p.k, tek kompania ‘Mulliri i Artë’ sh.p.k si dhe tek shtetasi Agur Abduramani.
Ky dokument tregon se kompania ‘LOGAL’ është themeluar në 7 dhjetor të vitit 2015, me administrator dhe aksioner të vetëm Shkëlzen Berishën. Në deklaratën e pasurisë së vitit 2015, djali i ish kryeministrit nuk deklaron aksione në ndonjë kompani.
Atë vit Shkëlzen Berisha deklaronte vetëm të ardhura nga konsulenca 100 000 lekë, të ardhura nga punësimi, 759 789 lekë, të ardhura nga ndërmjetësimi 210 mijë euro, të ardhura nga qiraja 47 mijë euro si dhe shlyerjen e dy kredive për blerje apartamenti dhe makine.
Në vitin 2016, deklaron 961 966 lekë të ardhura nga punësimi, 3 000 000 lekë të ardhura nga konsulenca juridike, 47 mijë euro të ardhura nga qiraja ndërsa ka mbyllur kredinë 252 mijë euro për blerje apartamenti.
Për herë të parë, emri i kompanisë ‘Logal’, shfaqet në deklaratën e vitin 2016, ku Shkëlzen Berisha thotë se i ka dhënë 250 mijë euro borxh. Ai i ka marrë paratë në formë overdrafti në një bankë, duke ia dhënë hua kompanisë së vet.
Pra, përveç kredisë 1.8 milionë euro të marrë sipas tij, del edhe një borxh tjetër 250 mijë euro, duke e çuar totalin e borxhit mbi 2 milionë euro, pa llogaritur interesat e kredisë 1.8 milionë euro.
Ditë me parë u publikua një dokument që tregonte se djali i ish kryeministrit Berisha kishte marrë nga banka 1.8 mln euro kredi me kolateral për pronat e blera ne Gërdec.
Top Channel