Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook ka përkujtuar Adem Demaçin, në dy vjetorin e ndarjes nga jeta.
Sa më poshtë mesazhi i Cakaj:
Nderim për Adem Demaçin, pa të cilin sot u bënë dy vite…
Si student i ri në Beograd, në mes të viteve ‘50, ai u ngrit kundër Dobrica Qosiqit, për të mbrojtur letërsinë kombëtare e veprën e rilindasve në Jugosllavi. Si shkrimtar i ri, mes viteve të errëta të kohës së Rankoviçit, ai publikoi veprën ‘Gjarpërinjtë e Gjakut’ në revistën ‘Jeta e re’ duke kritikuar dukurinë e hakmarrjes e kërkuar bashkimin e brendshëm kundër pushtuesit. Për këtë vepër, ai vuajti dënimin e parë në burgun e Mitrovicës së Stremit në Vojvodinë, nga viti 1958 deri më 1961. Si veprimtar i çështjes kombëtare, në vitin 1963, ai u bë nismëtar i përpjekjes së parë të mirëorganizuar në Jugosllavi për bashkim kombëtar duke themeluar Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Më këtë qëndrim, ai u përplas jo vetëm me regjimin e Rankoviçit, por edhe me elitën e komunistëve shqiptarë në Jugosllavi. Si njeri, ai asnjëherë nuk ju tremb ballafaqimeve, i vetëm e shpeshëherë edhe kundër të gjithëve, gjithmonë në shërbim të drejtësisë e të vërtetëa.
Më 13 prill 1964, ai bashkë me shokët e tij vendosën 99 flamuj kombëtarë anë e kënd kryeqendrave të Kosovës për të shprehur qartazi identitetin kombëtar e në shërbim të së drejtës kombëtare për vetëvendosje. Për këtë aksion, ai u burgos menjëherë me gjykim të shpejtë në burgjet famëkeqe të Nishit e Pozharecit, nga viti 1964 deri në 1974.
Sidoqoftë, Demaçi ishte jo vetëm përtej burgjeve Jugosllave, por ai kishte tejkaluar edhe veten e tij: ai i përkiste një populli të tërë. Idetë e tij nuk mund të mbylleshin as në grila burgjesh, as të kufizoheshin prej masave të dhunshme policore. Të frymëzuar nga vepra e tij, më 27 e 28 nëntor 1966, e gjithë Kosova u ngrit në këmbë për të kërkuar vetëvendosjen kombëtare e lirimin e menjëhershëm të tij. Fryma e tij politike u bë forcë shtesë për të kundërvendosur 28 nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë me 29 nëntorin, si dita zyrtare e Jugosllavisë. Kjo frymë i dha jo vetëm zemër shqiptarëve në valën e kryengritjeve të viteve ’80, por edhe shpirt të gjithë luftës çlirimtare të Kosovës.
Për 10 vite në burg, ai as nuk u thye, as nuk ndryshoi. Më shumë i gjykonte ai gjyqtarët e Jugosllavisë për çështjen e Kosovës, sesa gjyqtarët e Jugosllavisë një person të vetëm. Ai u lirua nga burgu në vitin 1974, saktësisht në kohën kur shqiptarët po gëzonin jetën më cilësore politike që nga pas Lufta e Dytë Botërore në Jugosllavi. Një ditë pas lirimit, ai filloi punën për kombin aty ku e la ditën e arrestimit, i parrëmbyer prej përmirësimeve sipërfaqësore dhe i panënshtruar ndaj iluzioneve kolektive. Ra në burg përsëri, për të tretën herë, për shkak të punës atdhetare, në tetor 1975. Qëndroi kryelartë në burgun e Gradishkës së Vjetër të Kroacisë edhe për 15 vite të tjera deri në vitin 1990.
Kur të tjerët mbase e pritën të thyer në moshë e të mbytur nga jeta më shumë në burg se i lirë, Demaçi vazhdoi sërish rrugëtimin e njëjtë me guxim të pakrahasueshëm e vullnet të pamposhtur. Në fjalën e tij me rastin e marrjes së çmimit ‘Saharov’ në dhjetor 1991, ai tha se në Kosovë nuk ka lirime nga burgu, sepse vetë Kosova është shndërruar në një burg të madh. Pas bisedave me nivelet më të larta diplomatike në Evropë në fillim të viteve 90, u kthye si njeri i thjeshtë e punëtor i devotshëm në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Nuk heshti e nuk u ndal kurrë: vazhdoi në krye të protestave e grevave të urisë gjatë gjithë pjesës së parë të viteve ‘90, u bë pjesë e zëshme e jetës politike të Kosovës edhe brenda sistemit paralel me Partinë Parlamentare dhe shërbeu si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në Mars 1999. Mes bombardimeve të NATO-s e pavarësisht vrasjeve e dhunimeve masive të regjimit të Millosheviçit në Kosovë, ai ecte i vetëm, si shpirt i lirë me mendime të veta, mes rrugëve të Prishtinës, duke përbuzur çdo paralajmërim për likuidim të mundshëm.
Pas luftës në Kosovë, Demaçi vazhdoi të mbetet i njëjtë, idealist i pandryshueshëm në shërbim të lartësimit të Kosovës e zë i çmuar politik i saj. Pothuajse si At Gjergj Fishta në kohën e tij, ai foli shpeshherë shkujdesur e pakursyer fjalë të rënda kundër të gjithë atyre që ia thoshte mendja se Kosovës ia keqpërdorën lirinë dhe rrënuan mundësitë e zhvillimit. Ai dhe edhe shembullin se si jetohet me dinjitet e me kokën lart edhe para sulmeve të ulëta e gojëve të liga, duke u mjaftuar thjesht me faktin se ai një jetë të tërë ka thënë të vërtetën dhe ka qenë në anën e drejtë.
Adem Demaçi nuk është Nelson Mandela, as i Kosovës, as i Ballkanit, as i Evropës. Ai është thjesht Adem Demaçi i të gjithëve: i pakrahasueshëm e i veçantë në vetvete, prodhim autentik i shoqërisë së kombit të cilit i takoi, shembull madhor i përpjekjes plot sakrificë për lirinë njerëzore.
Për Adem Demaçin asnjë fjalë nuk mund të përfundojë me ‘pusho i qetë’: askush nuk mund të paramendojë Adem Demaçin, as duke pushuar, as duke qenë i qetë. Ai ka lënë pas trashëgiminë më frymëzuese të njeriut që vendos bindjet para jetës dhe të gjithë jetën në shërbim të vendit. Ndaj, kujtimi për të është në të njejtën kohë edhe detyrim për të ecur në rrugën e njejtë, pavarësisht se në rrethana të ndryshme.
I paharrueshëm kujtimi për atë që nuk mund të krahasohet me askënd!
Top Channel