Zëvendësohet Luan Daci/ Shorti në KPA për gjyqtarin e pezulluar të shkallës së dytë të vettingut

25/07/2020 15:40

Pas pezullimit nga detyra të Luan Dacit, kolegji i posaçëm i apelimit vendosi zëvendësimin e gjyqtaritë të vettingut në çështjet ku ai është anëtar i trupave të rivlerësimit për shkallën e dytë .

Në gjashtë çështje vettingu që mbahen para mbylljes së sezonit, Luan Daci u zëvendësua përmes shortit nga kolegët e tij të KPA-Së, derisa për hetimin e SPAK, gjykata e posaçme të thotë fjalën vendimtare. Sipas versionit zyrtar të KPA në gjykimin administrativ të ish-kryeprokurores së krimeve të rënda, Donika Prela, Daci u zëvendësua me gjyqtaren Rezarta Schuetz .

Gjyqtarja e vettingut do ta zëvendësojë Luan Dacin edhe në dosje të tjera duke ju bashkuar trupave të mëparshme edhe për kandidaten e Gjykatës Kushtetuese Regleta Panajoti, konfirmuar në detyre dhe më pas e ankimuar në KPA. Panajoti dha dorëheqjen me argumentin se i kishte përfunduar statusi i magjistratës. Kjo përballje me komisionerin publik do të gjykohet nga KPA pa pjesëmarrjen e Dacit në datën 30 korrik.

Gjithashtu Shuetz zëvendëson gjyqtarin Daci edhe për rivlerësimin e prokurorit të Fierit, Fatmir Lushi, i shkarkuar dhe kryetarit të gjykatës së këtij qyteti Roland Jaupaj. Ina Rama do zëvendësojë Luan Dacin për gjykimin  e prokurorit të apelit Dritan Peka, i konfirmuar në detyrë e më pas i apeluar, ndërsa Natasha Mulaj merr vendin e Dacit për gjykimin e gjyqtarit, Genci Sinjari.

Gjatë javës, Luan Dacit ju komunikua akuza për falsifikim dokumentesh pasi sipas SPAK nuk kishte shkruar në formularë largimin nga gjyqësori  gjatë një gare për të veshur tunikën e atyre që do rivlerësonin  njerëzit e drejtësisë. Teksa pritej që gjykata e lartë të shprehej mbi kërkesën e SPAK për pezullimin e Dacit nga detyra, këtë vendim e mori KPA e cila mbeti me gjashtë anëtarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA