Identikiti i pandemisë duket se ka ndryshuar. Tani mosha mesatare e rasteve të diagnostikuar është rreth 40 vjetëve ndërkohë që në mars dhe prill, mosha mesatare e rasteve ishte mbi 60.
Dhe kjo, vë në dukje ndryshimin e zakoneve pas izolimit, por vetëm për një pjesë të popullatës. Të moshuarit, nuk ekspozohen më, të trembur nga ajo që kanë parë e dëgjuar apo edhe përjetuar, të sensibilizuar dhe mbrojtur nga fëmijët apo nipërit e mbesat. Por vetë këta të fundit, dalin jashtë, takohen me njerëz, shtrëngojnë duart, shkëmbejnë madje edhe përqafime dhe frekuentojnë bare e lokale.
Deri sa në udhën e tyre të dalë një person pozitiv dhe të tillë të bëhen edhe vetë ata. Sipas ekspertëve të shëndetësisë në Itali, ulja e moshës mesatare të të prekurve vjen pjesërisht prej karakteristikave të vatrave në të cilat ka një përfshirje gjithnjë e më të vogël të personave të moshuar dhe pjesërisht edhe për shkak të identifikimit të rasteve asimptomatike në fasha moshe më të ulëta. Si rezultat, të rinjtë, që gjurmohen shpejt dhe që janë të predispozuar të mos sëmurën ose të zhvillojnë forma infektimi shumë të lehta, nuk përfundojnë në spitale. Dhe kështu, edhe rreziku i mbingarkesës të shërbimeve shëndetësore, të paktën në periudhë afatshkurtër, është më i ulët.
Por e gjithë kjo nuk do të thotë se Sars Cov 2 është më pak i rrezikshëm. Përkundrazi. Shkalla e riprodhimit të virusit, në krahasim me më parë, duket se është përshpejtuar dhe për këtë ka lëshuar alarmin disa herë edhe OBSH. Në vende të ndryshme të Evropës, është bërë shqetësues numri gjithnjë e më i madh i të rinjve që preken nga koronavirusi i ri.
Top Channel