Kontrolle me dronë nga ajri dhe toka/ Kultivim kanabisi në Maliq, prangosen kryeplaku i fshatit dhe një 29-vjeçar

25/07/2020 10:03

Vijojnë kontrollet e territorit nga toka dhe ajri, me dronë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

Pas një hetimi 2-mujor nga Komisariati i Policisë Maliq, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë është arrestuar në flagrancë një autori i dyshuar për kultivim të kanabisit, si dhe ka rënë pranga edhe kryeplaku i fshatit për “Shpërdorim detyre”.

Bëhet fjalë për F. K., 29 vjeç banues në fshatin Gopesh.

Nga tërësia e hetimeve të kryera, përdorimit të dronit, si edhe gjatë kontrollit që forcat e policisë ushtruan në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dobërçanit”, njësia administrative Moglicë, u konstatuan në një sipërfaqe të hapur enkas fidanë kanabis të kultivuar.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin F. K., i cili dyshohet të jetë kultivuesi i tyre.

Gjithashtu gjatë operacionit u vu në pranga dhe shtetasi H. K., 49 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Gopesh i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ky shtetas kishte detyrim që të ushtronte kontrolle territori dhe të njoftonte organet e policisë, në rast se do të konstatonte ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA