Ylli Manjani propozon rithemelimin e Republikës: Duhet pakt kombëtar për të ndarë shtetin nga politika

24/07/2020 18:14

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Sipas tij, institucionet në vendin tonë janë lërë në mëshirë të fatit. Ai thotë se nuk kemi Kushtetutë, institucione, drejtësi. Por zgjidhjen ai e shikon tek rithemelimi i Republikës, të cilën ai e ka konceptuar në këtë mënyrë. Institucionet, drejtësia, të jetë e shkëputur nga politika, kjo sipas Manjanit është pjesë e plotësimit të 15-të pikave të propozuara nga evropianët. Për të arritur këtë, ai thotë se duhet bërë një pakt me popullit e cila përkthehet në një reagim kombëtar.

Denis Dyrnjaja: Unë e lexova statusin tuaj dhe ju flisni, po flas për konceptin në përgjithësi, sepse njerëzve nuk jua ofrojmë dot të gjithë statusin që ju keni shkruar. Ju flisnit për një riformatim të Republikës, pyetja ime është, kush do ta bëjnë, këta që kanë futur në ujë themelet e Republikës.

Ylli Manjani: Kjo duhet të bie e gjitha në kosh. Për të mirë apo për të keq, për një arsye apo për një tjetër, në koshin më të afërm që ka historia politike e Shqipërisë, ata duhet të shkojnë të gjithë. Me dëshirë apo pa dëshirë, me hir me pahir, në një mënyrë apo një tjetër këto e kanë mbyllur ciklin e vet, nuk prodhojnë më asgjë.

Denis Dyrnjaja: Më fal zoti Manjani, këto kanë edhe gurin edhe arrën, nga pikëpamja politike dhe institucionale.

Ylli Manjani: Kështu e ka pasur, edhe gurin edhe arrën, politika italiane në fund të viteve 60-et, por u arrit një konsensus, u arrit një vendim i madh, sigurisht që vjen nga publiku, presioni i publikut duhet të jetë shumë i madh, duhet të jetë i madh, duhet të jetë më i madh se sa është.

Denis Dyrnjaja: Edhe këtu është i madh, por është pak i heshtur në fakt.

Ylli Manjani: Është i heshtur sepse nuk kanë mbështetje. Këtu ka njerëz që protestojnë për liritë Kushtetuese, i marrin dhe i shkepin në dru policët, meqë ra fjala, jo nëpër burgje. Kjo ndodh se vetëm protestojnë dhe nuk ndodh asgjë. Nuk vazhdon më tej kauza, kjo është problemi. Na duhet një dakordësi, për një vendim madhor që është për mua vendimi numër 1. Duhet të shkëpusim shtetin nga partitë. Administratën civile, policinë, burgjet, ushtritë, arsimin, shëndetin dhe mbi të gjitha drejtësinë nga partitë politike.

Denis Dyrnjaja: Dhe si shkëputen këto.

Ylli Manjani: Kjo pra është e gjithë historia, ky është pakti i madh që kërkohet. Në qoftë se ne e arrijmë këtë dhe të lejojmë partitë të konkurrojmë dhe të mësohemi me një gjë, partitë mund të konkurrojnë por nuk mund të ketë më kryeministra tetë vjeçar, mund të ketë dhe kryeministra tetë mujor dhe nuk është fundi i botës. Partitë bëjnë punën e vet, pushteti bën punën e vet, po shteti duhet të funksionojë. Kjo është thelbi dhe kryereforma që ne duhet të bëjmë në një mënyrë apo një tjetër. Këto janë 15 kushtet e Evropës dhe leximi më të drejtë të mundshëm që i ka bërë kësaj, është e profesor Artan Fugës, që ka hedh idenë e rithemelimit të Republikës dhe unë jam 100% dakord.

Denis Drynjaja: Nga duhet të nisë rithemelimi i Republikës, duhet të nisë nga Kushtetuta. Pra duhet ta ndryshojmë këtë Kushtetutë.

Ylli Manjani: Kjo Kushtetutë ka marrë fund. Të flasësh sot, për Kushtetutë, për ligje, për rregull, për rend kushtetues, kjo është zero, nuk funksionon dhe më vjen keq që e them këtë. Kjo është një Kushtetutë e bërë nga Partia Socialiste. Partia Socialiste i bëri Shqiptarët me Kushtetutë dhe kjo parti po i lë shqiptarët pa Kushtetutë. Kushtetuta e 98-ës është bërë nga Partia Socialiste, Gramoz Ruçi është dëshmitar, më shumë se sa Edi Rama. Unë e ftoj edhe personalisht që ta mendoj këtë gjë, se ka të bëjë edhe me karrierën e historinë e tij në Partinë Socialiste që e lënë vendin në mëshirë të fatit, pa Kushtetutë, pa garanci, pa mbrojte, pa gjykata, pa asgjë, zero.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA