Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje të premten që bisedimet me Serbinë të mos zbresin në nivel teknik, meqë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë politike.
Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ai tha se është me interes që të ndodhin bisedimet pasi që nëpërmjet këtij procesi vendi lëviz drejt integrimeve euro-atlantike, por duhet kujdes në trajtimin e marrëdhënieve me Serbinë si dy vende të pavarura.
“Pra të ndodhë njohja reciproke dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbret në nivel teknik sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik dhe jo teknik. Në nivel teknik nënkupton status quo dhe respektim i agjendës së Serbisë. Në anën tjetër ne do shikojmë interesat e shtetit tonë, shoqërisë tonë, të sotmen dhe të ardhmen tonë, të një fqinjësie të mirë ndërshtetërore, pra duhet të ndodhë njohja reciproke, respektimi i plotë territorial i të dy vendeve dhe natyrisht pastaj zgjidhja e çështjeve që janë të diskutueshme si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se qëllimi i procesit është marrëveshja përfundimtare për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve.
“Ne do të sigurojmë të gjithë së bashku që në asnjë moment dialogu të mos rrëshqas në nivel teknik por ta mbajmë të fokusuar në objektivin tonë kryesor që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Po mundohemi që të bëjmë maksimumin që të koordinojmë të gjitha aktivitetet me partnerët tanë ndërkombëtare, sepse është tepër jetike që të jenë të përfshirë të gjithë”, tha kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti është kritikuar nga partnerët e tij të koalicionit për mos informim të tyre lidhur me procesin e bisedimeve dhe emërimin e bashkërenduesit shtetëror për bisedime me Serbinë, Skender Hyseni. Kjo ka ngjallur pakënaqësi dhe ftohje të marrëdhënieve ndërmjet partnerëve të koalicionit.
Kryeministri Hoti tha se do t’i mbajë të gjitha palët plotësisht të informuar dhe sipas tij, nuk do të ketë askush arsye që të ndërmarr ndonjë veprim për shkak të procesit të dialogut.
“Do të jem plotësisht transparent për të siguruar një gjithëpërfshirje sepse ndoshta ky është procesi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë për të përmbyllur një marrëveshje finale me Serbinë që është sigurisht në interes të dy vendeve por edhe në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Mendoj se është një moment shumë i mirë sepse kemi vëmendje të BE-së, të vendeve të kyçe të BE-së Gjermanisë dhe Francës në veçanti por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbes me shpresë që në muajt e ardhshëm do ta përmbyllim këtë proces”, tha kryeministri Hoti.
Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet në shtator.
Bisedimet rifilluan pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili për herë të parë nuk është pjesë e procesit, tha sot se pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara vështirë që do ketë një marrëveshje për njohje të ndërsjellë.
“Jam i bindur se pavarësisht diskutimeve që po zhvillohen në këtë apo atë qytet, aty ku nuk janë SHBA-të jam skeptik që mund të ndodh njohja reciproke apo e di saktësisht se nuk ndodh, prandaj është jetike për ne si Kosovë që në tavolinë dhe në proceset udhëheqëse të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht bashkërisht me Bashkimin Evropian”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se uniteti brenda partive politike dhe bashkërendimi i Shteteve të Bashkuar dhe bashkimit Evropian janë jetike për të çuar përpara procesin e bisedimeve.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në nivel të ekspertëve, diskutuan dje në Bruksel në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Takimi që u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, synoi përafrimin e qëndrimeve të të dyja palëve në lidhje me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës dhe zhvillimin ekonomik./VOA/
Top Channel