Belgëve do t’ju kërkohet të mbajnë maska fytyre në tregje të jashtme dhe zona të frekuentuara blerjesh ashtu si edhe në godinat publike. Kryeministrja Sofi Uilmes lëshoi urdhërin ndërsa shtyu planet për zbutjen e mëtejshme të kufizimeve anti-koronavirus të Belgjikës në një kohë kur rriten shqetësimet mbi infektimet e reja dhe shtrimet e shumta në spital.
Në teori, maskat kanë qenë të detyrueshme në dyqane në Belgjikë dhe qytetarët supozohen të kufizojnë kontaktet e tyre sociale në jo më shumë se 15 persona në javë. Por Vilmes paralajmëroi se ishte e rëndësishme të ndiqeshin këto rregulla me rigorozitet dhe shtoi se klientët duhet të përdorin maska në bare dhe restorante, me përjashtim të kohës kur ulen në tavolinë.
‘Njoftimi i forcimit të rregullave është një goditje e rëndë për moralin tonë, por ne preferojmë që ti marrim këto masa sot në vend që të pendohemi nesër. Këto masa nuk janë këshilla, janë urdhëra’- tha Vilmes.
Belgjika ka përjetuar një rritje të rrezikshme të rasteve të koronavirusit që kur filloi zbutjen e shumë prej masave të saj të izolimit. Tani ka mesatarisht 184 infektime të reja në ditë ndërsa numri i shtrimeve në spital është rritur nga 9.7 në 12. 64527 raste të koronavirusit janë regjistruar në Belgjikë që kur pandemia u përhap në botë dhe 9808 persona kanë humbur jetën.
Top Channel