SHBA/ Hetim mbi reagimin e agjentëve federalë ndaj protestuesve

24/07/2020 04:58

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë tha të enjten se do të bëj një rishikim të veprimeve të agjentëve federalë që reaguan ndaj trazirave në Portland të Oregonit dhe në Uashington pas shqetësimeve të shprehura nga anëtarët e kongresit dhe publiku.

Hetimi do të shqyrtojë akuzat për përdorim të forcës në Portland, ku prokurori federal i qytetit dhe kryebashkiaku i tij janë ankuar publikisht për ndërhyrjen e agjentëve federalë. Në Uashington, hetuesit do të shikojnë trajnimet dhe udhëzimet e dhëna për agjentët federalë që reaguan ndaj protestave në Sheshin Lafayette, pranë Shtëpisë së Bardhë. Në mesin e çështjeve që po hetohen janë edhe pyetjet nëse agjentët kanë zbatuar udhëzimet e Departamentit të Drejtësisë, përfshirë rregullat për identifikimin dhe përdorimin e agjentëve kimikë dhe përdorimin e forcës.

Hetimi u njoftua mes një kaosi të vazhdueshëm në Portland, ku agjentët federalë hodhën gaz lotsjellës në drejtim të kryebashkiakut Ted Wheeler ndërsa ai po qëndronte jashtë gjykatës së qytetit. Autoritetet lokale në të dy qytetet janë ankuar se prania e agjentëve federalë ka shtuar tensionet, ndërsa banorët kanë akuzuar qeverinë për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese. Trazirat civile u përshkallëzuan në Portland pasi agjentët federalë u akuzuan se po ndalonin dhe po fusnin njerëzit në makina pa shenja pa dhënë ndonjë justifikim për këtë veprim. Dhe në Uashington, protestuesit paqësorë u shpërndanë me dhunë nga oficerët federalë, të cilët gjatë këtyre përpjekjeve përdorën edhe gazin lotsjellës.

Vendimi për dislokimin e agjentëve federalë në qytete amerikane po ndodh në një moment tepër të politizuar, kur Presidenti Trump është në kërkim të një strategjie të rizgjedhjes pasi koronavirusi goditi rëndë ekonominë, duke eliminuar atë që fushata e tij e kishte parë si biletën e tij për një mandat të dytë. Presidenti Trump ka shfrytëzuar momentin e rritjes së dhunës në disa qytete, duke pretenduar se ajo do të vazhdojë të rritet nëse rivali i tij demokrat Joe Biden fiton zgjedhjet e nëntorit dhe demokratët kanë një shans për të miratuar reformat në polici që ata i kanë promovuar pas vdekjes nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd, që shkaktoi protesta mbarëkombëtare për drejtësi racore.

Reagimi i forcave federale ka të ngjarë të jetë një temë kryesore e debatit javën e ardhshme, kur Prokurori i Përgjithshëm William Barr do të paraqitet në një seancë dëgjimore para Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga demokratët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA