Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përsëriti qëndrimin e tij se dialogu me Serbinë është për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Hoti tha se në takimin e 16 korrikut në Bruksel, ka paraqitur kërkesat e Kosovës për zbardhjen e çështjes së të pagjeturve dhe për temat ekonomike.

Tema e parë, personat e pagjetur për Qeverinë e Kosovës është obligim shtetëror, moral ndaj familjeve të tyre. Andaj është trajtuar me parime dhe kërkesa të qarta që janë: në përputhje të plotë me Ligjin humanitar ndërkombëtar, të zgjidhet çështja e personave të zhdukur, përfshirë zbulimin e informacionit dhe ofrimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe teknike për zgjidhjen e kësaj çështjeje. E dyta, sjellja e drejtësisë në vend dhe e treta, kujdesi i nevojshëm për familjet e viktimave sipas standardeve ndërkombëtare

Për sa i takon çështjeve ekonomike, Hoti tha se do të kërkohet kompensim për dëmet e luftës, si dhe kompensim për dëmet e pronave private. Ai u angazhua se do ta mbajë të informuar Kuvendin lidhur me procesin e dialogut dhe tha se nuk do të ketë ndarje territoriale.

 “Unë kam përgjegjësi për këtë proces. Unë do t’iu mbaj të informuar gjatë gjithë kohës. Por,unë nuk do të rri duarkryq dhe as nuk do të qahem para jush, duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika, apo me komplote për ndarje territoriale”

Kryeministri Hoti përsëriti tri parimet e qeverisë në dialog: integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe i pacenueshëm; organizimi kushtetues i Kosovës nuk preket dhe marrëveshja me Serbinë do të jenë në përputhje me Kushtetutën. Hoti po ashtu tha se nuk do të ketë dialog teknik dhe se në ditët në vazhdim të gjitha takimet në këtë proces do të jenë në funksion të draftimit të marrëveshjes përfundimtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA