Walt Disney ka shtyrë prezantimin e tre filmave të rëndësishëm çka përbën një tjetër telash për operatorët e kinemave që e kanë gjetur veten në vështirësi të mëdha për shkak të pandemisë.

Filmi i ri “Avatar” dhe filmat “Star Wars”, janë shtyrë me një vit ndërsa Mulan është hequr tërësisht nga agjenda. Ky i fundit duhej të dilte nëpër kinema në fund të gushtit. Një rritje e rasteve të virusit në SHBA dhe pasojat globale në prodhimin e filmave kanë detyruar ndryshimin e agjendës.

“Është bërë e qartë se asgjë nuk mund të jetë e sigurt në mesin e një krize globale”, tha një zëdhënës i Disney. “Ne kemi vendosur ti ngrijmë planet tona për Mulanin ndërsa po shqyrtojmë se si mund t’ia sjellim këtë film audiencës në të gjithë botën, në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Ishte shpresuar në fakt jo pak se Mulan mund të shkaktonte një rikthim të njerëzve nëpër kinema në këtë fundvere. Vazhdimi i Avatarit tani pritet të dalë nëpër salla në dhjetor 2022 ndërsa filmi i ri i “Star Wars” në dhjetor 2023. Kinematë ndërkohë, në disa shtete amerikane nuk janë hapur ose kanë shtyrë hapjen për shkak të shifrave në rritje të infektimeve.

Në Nju Jork dhe Los Angeles, ato nuk kanë plane për rihapje të shpejtë. Ndërsa në Angli kinematë u lejuan të rihapeshin nga 4 korriku, me kusht që të respektohen udhëzimet për distancimin social, panorama në Amerikën e Veriut është shumë më e paqartë. Në Kinë, kinematë nisën të rihapeshin këtë javë pasi qëndruan të mbyllura për gjashtë muaj.

Edhe të tjerë filma të Disney janë vonuar e mes tyre, thrilleri historik i Ridley Scott, Dueli i fundit, në të cilin luajnë Ben Affleck dhe Matt Damon. Nga dhjetori i këtij viti ai është shtyrë për në tetor të vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA