Udinese i prish festën e titullit Juventusit, e mposhtë 2-1 me përmbysje në “Friuli” dhe praktikisht siguron qëndrimin në Serinë A, pasi shkon + 7 pikë nga Lecce e vendit të 18-të. Mjafton të skuadra puljeze të humbë një nga tri sfidat e fundit që Udinese të qëndrojë Serinë A edhe nëse nuk merr qoftë një pikë në takimet e mbetura.

Edhe pse bardhezinjtë patën shansin për t’u shpallur matematikisht kampionë në javën e 35-të, kjo nuk ndodhi, madje skuadra e drejtuar nga Sarri nuk qe e aftë të ruante epërsinë e krijuar në minutën e 42-të pas goditjes së saktë të de Ligt nga jashtë zonës.

Vendësit, të cilëve u duheshin pikët për mbijetesë, shfaqën më shumë dëshirë në pjesën e dytë, duke barazuar në minutën e 52-të nga Nestorovski, ndërsa në minutën e dytë shtesë Fofana realizoi golin e përmbysjes, që i dha fitoren ekipit të drejtuar nga Gotti.

Një disfatë që shkund pozitat e Maurizio Sarrit, i cili nuk po arrin të mbyll para kohe kampionatin, edhe pse ndjekësit më të afërt po ja japin këtë mundësi javë pas jave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA