Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është vendosur në vetëizolim pas shfaqjes së disa simptomave të COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur ai vetë përmes një postimi në Facebook, ku thoshte se rezultatin e tamponit nuk e ka marrë ende.
“Pas disa simptomave të lehtë dhe dyshimeve se mund të jem infektuar me Sars-CoV-2, sot e bëra testin. Në përputhje me rekomandimet e institucioneve, jam vetizoluar deri në konfirmimin e rezultatit”, ka shkruar Veseli.
Më herët, të enjten rezultoi pozitiv me Covid-19 edhe Jakup Krasniqi, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate. Më parë, koronavirusi kishte prekur edhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa dhe politikanë të tjerë.
Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe tetë viktima nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen ka arritur në 158.
Një ditë më herët ishte njoftuar për 150 viktima. Sipas Institutit viktimat kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese. Në bazë të raportit ditor, IKSHPK njofton se ka testuar edhe 420 pacientë të dyshuar me koronavirus, dhe prej tyre 181 kanë dalë pozitivë. Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë – që nga mesi i muajit mars – ka arritur në 6.467.
“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 136 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.505 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.804”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Top Channel