Gjyqi i Elton John-it/ Ish-gruaja: Ndryshova identitet për të ndërprerë çdo lidhje me të

23/07/2020 19:50

Renate Blauel, ish-gruaja e super këngëtarit homoseksual britanik Elton John, tha në dokumentet e gjyqit të dëmshpërblimit, se ka ndryshuar identitetin e saj për të zhdukur çdo lidhje me të.

Blauel po kërkon dëmshpërblim disamilionësh kundër John për shqetësim të rëndë psikologjik prej shkeljes së marrëveshjes së divorcit të vitit 1988 për të mos diskutuar detaje mbi martesën e tyre.

Muajin e kaluar e përditshmja britanike “Guardian” zbuloi se Blauel, e cila kishte evituar çdo lloj publiciteti në tre dekadat e fundit, ka depozituar padinë ndaj John pas publikimit të autobiografisë së tij dhe filmit të bazuar në të “Rocketman”.

Dokumentet gjyqësore tregojnë përpjekjet e bëra nga Blauel, e cila ka lindur në Gjermani, për t’u distancuar nga ish-marrëdhënia e saj si dhe përpjekjet me shëndetin mendor.

Mes të tjerash në dokumentet e depozituara prej saj thuhet:
• Blauel ndryshoi emrin e saj në 2001 në një emër të panjohur për të zhdukur të gjitha lidhjet me John. Ajo po rikthen emrin e saj Blauel përsa kohë do të zgjasë gjyqi aktual, me qëllim të mbrojë indetitetin e saj të fshehtë.
• Blauel i tha të njohurve në 2001 se po vendosej në Gjermani për t’u kujdesur për prindërit, por miqve të ngushtë u rrëfeu se po qëndronte në Britani me një identitet të rremë.
• Për t’iu shmangur interesit të medias Blauel bleu një shtëpi të re në emër tjetër dhe hoqi çdo send që e lidhte me Elton John, kur erdhën punonjësit e ngarkimit.
• Blauel ndryshoi gjithashtu pamjen e jashtme për të evituar lidhjet me jetën e shkuar.

Blauel tha se prej masave të marra ajo “jetonte në qetësi dhe privatisht” me një partner të ri.

Por ajo shton se jeta e saj u trondit kur pa reklamën e filmit autobiografik të John ku përfshiheshin detaje të martesës së tyre.

Çifti u martuan në Australi në 1984 në një kohë kur John nuk ishte i qartë për seksualitetin e tij. Blauel thotë se ata u ndanë katër vjet më vonë dhe se marrëveshja e divorcit përfshinte një klauzolë ku ndalohej për çdo palë “diskutimi i martesës apo arsyeve të ndarjes”, përveç bisedave konfidenciale me familjarët dhe konsulentët ligjorë.

Avokatët e Blauel thonë gjithashtu se tentativat e tyre për ndryshimin e detajeve në autobiografinë e John u refuzuan. Kundërshtimi i saj kryesor është ndaj pjesëve ku martesa e tyre në libër konsiderohet e gënjeshtërt apo “një sajesë”.

Top Channel