Forcat e Armatosura të Greqisë ndodhen prej mesditës të së martës në gadishmëri të plotë pas një Navtex-i të ri që ka shpallur Ankaraja, sipas të cilit ajo do të fillojë kërkime për gaz natyror në zonën detare në jug të ishullit grek Kastelorizo, midis Kretës dhe Qipros.
Bëhet fjalë për një zonë që Greqia pretendon se është brenda zones së saj ekonomike ekskluzive, kurse Turqia vlerëson se ndodhet brenda zonës detare për të cilën nënshkroi marrëveshje me qeverine e Tripolit në Libi.
Sipas burimeve nga ministria e Mbrojtjes së Greqisë 19 anije ushtarake turke kanë dalë për lundrim drejt zonës detare në jug të ishullit grek të Kastelorizos, ndërsa edhe Athina është përgjigjur duke nxjerrë në Egje 85% të flotës së saj luftarake dhe duke ndjekur me kujdes lëvizjet e ushtrisë turke.
Kryeministri Mitsotakis në takimin me ministrin e Jashtëm gjerman që vizitoi Athinën ka deklaruar edhe njëherë se përgjigja ndaj veprimeve turke duhet të jenë saksionet nga BE.
“Greqia po ndjek zhvillimet me besim, siguri dhe gatishmëri absolute. Vënia në dyshim e të drejtave sovrane të Greqisë dhe Qipros është edhe vënie në dyshim të të drejtave sovrane të Evropës. Nëse Turqia vazhdon këtë rrugë, vendosja e sanksioneve nga BE kundër saj do të jetë zgjidhja e vetme. Është në dorën e Turqisë të zgjedhë se çfarë lidhje kërkon të ketë me Greqinë, Qipron , me BE-në. Deri tani besoj se ka zgjedhur rrugën e gabuar”- tha kryeministri Mitsotakis.
Ndërsa edhe kreu i diplomacisë gjermane ka paralajmëruar Turqinë të ndalojë eksplorimin e hidrokarbureve në zonën detare të Qipros dhe Greqisë në Mesdheun lindor.
“Një çështje për të cilën diskutuam shumë qartë është ajo e Turqisë dhe kërkimeve detare. Sa i përket eksplorimeve detare të Turqisë në Mesdheun Lindor, ne kemi një pozicionim shumë të qartë: Duhet të respektohet e Drejta Ndërkombëtare, kështu që përparimi në marrëdhëniet BE – Turqi do jetë i mundur vetëm nëse Ankaraja ndalon provokimet në Mesdheun lindor”- tha Maas.
Në mesdite presidenti Erdogan ka deklaruar se Turqia nuk do të marrë leje as për Shën Sofinë dhe as për kërkimet detare dhe avionë ushtarakë turq kryen më vonë fluturime mbi ishujt grekë Strogili dhe Megisti. Ndërsa u ndoqën dhe interceptuan nga avionët e flotës greke.
Pasi kryeministri Mitsotakis ka thirrur mbledhje urgjente të disa ministrave të kabinetit, kreu i opozitës Aleksis Tsipras ka deklaruar se pret që qeveria të parandalojë përpjekjet turke për eksplorime në zonen eksluzive ekonomike të Greqisë.
Top Channel