Syri.net nuk zbaton vendimin e gjykatës/ U dënua për shpifje ndaj Top Channel me vendim të formës së prerë

22/07/2020 19:45

Portali Syri.net i sponsorizuar nga familja e ish kryeministrit Sali Berisha, i dënuar nga gjykata e Tiranës me anë të një vendimi të formës së prerë për shpifje ndaj Top Channel dhe drejtorit të përgjithshëm Ben Blushi, nuk e zbaton vendimin i cili mori formën e prerë pasi nuk u ankimua.

Gjykata e dënoi për shpifje dhe vendosi që portali “Syri.net” të bëjë një përgënjeshtrim në faqen e tij online në lidhje me shpifjet në adresë të Top Channel dhe lajmit të rremë të botuar më 28.2 2019.

Portali Syri.net me urdhër gjykate duhet të publikojë një përgënjeshtrim në formën e një falje publike për deklaratat e rreme si dhe të fshijë lajmin e rremë të botuar në këtë faqe, po ashtu dhe në portalet e tjera.

Po ashtu gjykata e i kërkon syri.net që të botojë me shpenzimet e tij vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi të marrë formë të prerë, në një gazetë të përditshme me shpërndarje te gjerë në treg, po ashtu vendimi i ngarkon edhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore si edhe dëmshpërblimin për palën e dëmtuar.

Por Syri.net nuk e ka zbatuar këtë vendim, duke mos hequr lajmet që e detyron vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Tiranës dhe as duke bërë përgënjeshtrimin për lajmin për të cilin portali i financuar nga familja e ish-kryeministrit Berisha është dënuar.

Top Channel