Aktivistja influencuese e çështjeve të klimës Greta Thunberg ka fituar një çmim prej 1 milionë euro nga një organizatë në Portugali, ndërsa menjëherë ka njoftuar dhurimin e shumës për grupet e mbrojtjes së mjedisit dhe frenimit të ndryshimeve klimatike.

“Këto janë më shumë para nga sa kisha imagjinuar ndonjëherë, por ato do të dhurohen me anë të fondacionit tim, për organizata të ndryshme dhe projekte të njerëzve në linjën e parë të luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe krizës ekologjike”, tha adoleshentja suedeze në një video të postuar dje.

Më herët ajo fitoi çmimin e humanizmit Gulbenkian me motivimin për mënyrën sesi “mundi të mobilizonte gjeneratën e re për kauzën e ndryshimeve klimatike, si dhe përpjekjen e saj të vendosur, për ndryshimin e një ‘status quo’ që ngulmonte prej kohësh”, deklaroi Jorge Sampaio, kryetari i jurisë së çmimit.

Thunberg tha se nga paratë e fituara €100,000 do të shkonin për organizatën “SOS Amazonia” organizata në Brazil që lufton kundër përhapjes së koronavirusit në zonat aborigjene të Amazonës.

Një tjetër €100,000 do të shkojnë për organizatën Stop Ecocide Foundation, në mbështetje të punës së tyre për ndërgjegjësimin që “ecocidi” të etiketohet si “krim ndërkombëtar”, komentonte Thunberg.

Çmimi €1 milionë është më i madhi i fituar ndonjëherë ambjentalistja 17-vjeçare e cila ka fituar gjithashtu çmimin më të lartë nga grupi Amnesty International, si dhe grupi suedez ‘E Drejta për Mjetet e Jetesës’, i cili shpeshherë prezantohet si një “Nobel alternativ”.

Thunberg dhe tre aktivistë të tjerë rinorë të klimës i bënë dje një apel liderëve të BE “për t’u përballur me emergjencën e klimës”, në një letër të hapur të nënshkruar nga 150 shkencëtarë dhe njerëz të famshëm.

Top Channel