Kastriot Çako ankohet në emisionin Fiks Fare se firma Kalaj shpk nuk ka zbatuar projektin e ndërtimit të pallatit ku dhe z Çako është një nga katër pronarët e truallit.

Kastrioti tregon se firma ka bërë ndërhyrje në strukturë duke rrezikuar pallatin, po ashtu pjerrtësia e oborrit nuk është sipas projektit gjë që çon në lagështirë dhe hyrjen e ujit në katet e para. Ai thotë se i ka kërkuar firmës të rregullojë gabimet, por firma nuk përgjigjet. Për 8 hyrjet që Kastrioti përfiton nga firma si pronar trualli, nuk ka pranuar të marrë çelsat.

Gjithashtu ai thotë se punimet kanë filluar në shtator të 2017 dhe afatin e përfundimit e kanë në tetor të 2019, por akoma edhe sot pallati nuk është kolauduar pavarësisht se në pallat kanë hyrë banorët. Gazetarët e Fiksit bashkë me Kastriotin hyjnë në pallat ku shohin të gjitha ndërhyrjet që nga bodrumi , ashensori, hapja e taracës në 4 vende dhe po ashtu pjerrtësia e oborrit e cila bën që në kohë me shi katet e para të përmbyten.

Gazetarët shkojnë tek zyrat e firmës, por administratori i mbyll derën qytetarit dhe operatorit duke i lënë jashtë. Ai flet vetëm me gazetaren duke i thënë se kemi vepruar siç është vepruar ne të gjithë Shqipërinë. I pyetur për daljet e lëna në taracë administratori justifikohet se ato janë stola dhe jo dalje.

Ndërkohë gazetarja e pyet se përse kanë futur banorë pa u kolauduar pallati? Administratori përgjigjet se kanë vepruar si gjithë të tjerët. Ndërkohë pronari i firmës Kalaja kërkoi t’i linim një adresë e-maili për të na dërguar të gjithë dokumentacionin që vërteton se janë në rregull dhe nuk është shkelur leja.Por pronari i firmës kalaja jo vetëm që nuk dërgoi kurrë një e-mail, por nuk i është përgjigjur as e-mailit që emisioni Fiks Fare i ka dërguar.

Emisioni Fiks Fare ka kërkuar një përgjigje edhe nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit i cili ka konstatuar nga 3 inspektimet e kryera në terren se firma Kalaja shpk ka qenë në shkelje ndaj dhe janë vendosur gjoba.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel