Ekspozitë në kohë pandemie/ Veprat e Ibrahim Kodrës prezantohen në Lihtenshtajn

22/07/2020 20:00

Në fillim të korrikut në Liechtenstein, në një ndër galeritë më prestigjioze u çel një ekspozitë me vepra të piktorit Ibrahim Kodra.

Kjo ekspozitë pati mbështetjen e ministrive të kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës si dhe galerive kombëtare të dy vendeve. Kuratorja e kësaj ekspozite dhe drejtuesja e fondacionit Ibrahim Kodra, Masha Pacolli, na tregon qëllimin e kësaj ekspozite që do te qëndrojë e hapur deri në tetor.

Zonja Masha, çfarë përfaqëson të çoni Ibrahim Kodrën, piktor shqiptar, në Lichtenstein nga ju, si kuratore dhe drejtuese e fondacionit qe mban emrin e tij, në kohë pandemie?

Për ne para së gjithash ishte një nder. Ibrahim Kodra është një artist i madh, që gjithmonë ka përçuar origjinën shqiptare në veprat e tij. Ishte krenar për këtë. Kultura nuk ka as kufij e as limite. Flet një gjuhë universale, që s’ka nevojë për përkthime.

Ju jeni shtetase shqiptare dhe ruse. Çfarë ju ka shtyrë të punoni ne këtë sektor, në ndërmarrje të ndryshme që lidhen me imazhin e shqiptarëve duke përdorur artin dhe kulturën?

Vjen nga familja ime. Im atë ishte një piktor në Rusi. Ka jetuar në periudhën sovjetike. Pashë që ka një ngjashmëri me Kodrën. Ai gjithmonë ka përçuar lirinë dje mesazhin e tij artistik paqësor dhe edukativ nëpërmjet veprës. Të jesh shtetase shqiptare dhe ruse, për mua do të thotë të ndihesh qytetare e botës.

Na shpjegoni pak, si mendoni të bëni realitet testamentin e Ibrahim Kodrës, për formimin e artistëve të rinj shqiptarë?

Kemi një projekt dhe një ide te zhvillojmë një kamp artistike përfshin edhe muzeun Ibrahim Kodra dhe te sjellim një pjesë të trashëgimisë së tij edhe këtu në Shqipëri. Për t’ju dhënë mundësinë këtyre artistëve të rinj të mësojnë nga arti i Ibrahim Kodrës, sepse ka shumë filozofi aty.

Top Channel