Zyrtarë të ndërmarrjeve kryesore farmaceutike do të dëshmojnë sot para një komiteti të Kongresit amerikan, në lidhje me vaksinat që po zhvillojnë për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Zyrtarët nga AstraZeneca, Johnson & Johnson, Merck & Co., Moderna dhe Pfizer do të dëshmojnë para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë.
Pesë kompanitë, së bashku me disa të tjera, janë në garë për të zhvilluar vaksinën kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Shtetet e Bashkuara kanë dhënë miliarda dollarë për financimin e disa prej tyre.
“Seanca do të ofrojë mundësi edhe për Kongresin, edhe për popullin amerikan që të të dëgjojnë drejtpërdrejt disa prodhues, që aktualisht janë duke zhvilluar vaksina potenciale kundër COVID-19”, tha Komiteti për Energji dhe Tregti.
Seanca vjen një ditë pasi Universiteti i Oksfordit ka njoftuar se një vaksinë që ka zhvilluar ai kundër koronavirusit, duket se është e padëmshme dhe se e trajnon sistemin imunitar.
Testimet e deritashme në njerëz kanë treguar se pas injektimit, në trupat e tyre janë krijuar antitrupa dhe qeliza të bardha të gjakut që mund ta luftojnë koronavirusin.
Vaksina e Oksfordit kundër koronavirusit shkakton reagim imunitar
Javën e kaluar, edhe kompania amerikane Moderna ka thënë se vaksina e saj eksperimentale ka dhënë shenja premtuese.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, së paku 23 vaksina të mundshme janë duke u testuar aktualisht në njerëz.
Së paku 100 vaksina të mundshme kundër COVID-19 janë duke u zhvilluar në të gjithë botën.
Koronavirusi ka prekur mbi 14.7 milionë njerëz në botë.
Prej tyre, mbi 609,000 kanë vdekur dhe mbi 8.2 milionë janë shëruar.
Top Channel