Prej orës 11:00 u mbajt mbledhja e Këshillit Politik në Pallatin e Kongreseve për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita në Kuvend dhe të mbështetura nga kryeministri Edi Rama. Hapja e listave dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore do të jenë tashmë në tryezën e Këshillit Politik.
Mazhoranca përfaqësohej nga Kryeministri i vendit dhe Damian Gjiknuri, ndërsa nga opozita parlamentare është kreu i grupit Demokrat Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari. Në vend të kryetarit të PD-së Lulzim Basha,i cili ndodhej për vizitë në Kosovë ditën e sotme, në mbledhje ishte sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.
Pas mbledhjes, në një deklaratë për media, deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari i ka bërë thirrje Opozitës së Bashkuar, dhe veçanërisht Lulzim Bashës që të vijnë dhe të mbështesin ndryshimet kushtetuese për Listat e Hapura.
Më tej ajo shton se opozita jashtëparlamentare ka pranuar që marrëveshja e 5 qershorit nuk është e plotë dhe i ka bërë thirrje të hapur që të bashkohen për të pranuar Listat e Hapura.
Rudina Hajdari: Edhe këtë radhë dua të bëj thirrje opozitës jashtëparlamentare kryetarit të PD-së që të mos rreshtojë demokratët në rresht me ata njerëz që duan lista të mbyllura. Duhet të mbështeten listat e hapura, ndryshe do jenë në anën e keqe të historisë. nëse mendoni se në këtë këshill politik vihet për një marrëveshje, e cila mesa pash edhe opozita jashtëparlamentare pranuan që marrëveshja nuk është e plotë, atëherë unë u bëj një pyetje Bashës. Për çfarë e braktise parlamentin shqiptar, pse i rreshtove ata njerëz në rrugë.
Nuk e realizove dot, dhe ke bërë premtim pas premtimi që në zgjedhjet e ardhshme do të mbështesësh listat e hapura. Mendoj që marrëveshje e 5 qershorit është një pikënisje, një hap pozitiv, por nuk është fundi i rrugës për reformën. Nuk mundet që demokratët të lënë negociimin nga një person që nuk ka tagrin e një vote. Sot erdhi një person me 0 vota për të mbrojtur një marrëveshje për reformën zgjedhore. Basha të vij, të mbroj demokratët, të mbroj reformën zgjedhore. Të përmbyllim këtë marrëveshje më 30 korrik, ne duhet ti japim shqiptarëve një reformë dinjitoze. Nëse nuk ka gëzimin e shqiptarëve nuk kam si ta quaja këtë marrëveshje si të plotë. Duhet të ulemi dhe të reflektojmë dhe të ulemi në anën e mbarë të historisë. Nuk mund të dalim para një mazhorance duke thënë se ata do të na japin ndonjë copë. Ne duhet të rreshtohemi dhe Basha nuk duhet të ketë asnjë lloj frike sepse unë nuk jam Rama jam Rudina Hajdari. Hajde flasim dhe bëjmë këtë reformë zgjedhore siç i takon shqiptarëve. Më thoni pse nuk mbështetet kjo çështje parimore dhe e domosdoshme. Ishte një mbledhje e gjatë, çdo palë dha mendimet e tyre.
U la që do ecim përpara. Nëse vërtet kanë dëshirë të plotësojnë dëshirat e marrëveshjes qoftë të kërkesave të bashkohemi bashkë dhe të ndryshojmë këtë frymë.
Nuk mund të pretendohet që opozita parlamentare nuk ekziston. Nëse duan të rrinë me Edi Ramën për të mbështetur Edi Ramën është punë e tyre, por votat në parlament nuk i kanë.
Në anën tjetër sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi deklaroi se PS-ja është kthyer pas për të rihapur edhe njëherë marrëveshjen e 5 Qershorit.
Ai e cilësoi si të papranueshme nismën për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve. Bardhi tha se i kërkoi Edi Ramës dhe pret informacion zyrtar kur do ta votojnë paktin e 5 qershorit.
Top Channel