Futbollit italian tronditet përsëri nga trukimet. Kësaj radhe mund të mos jenë përfshirë futbollistë ose menaxherë të sportit, por një gjyqtar.
Prokurori i Romës po heton episodet anomale në kampionatin e Serie C dhe Primavera (kampionati i të rinjve), duke filluar nga një ndeshje e pezulluar për shkak të një dëmtimi të gjyqtarit kryesor.
Sipas Repubblicas, hetimet nisën pas një ngjarjeje të pazakontë në një ndeshje të Serisë C, mbi të cilën organet mbikëqyrëse, të nxitura nga agjencitë e basteve me njoftimin e flukseve anomale në Federatën e Futbollit, kishin hedhur sytë për shkak të anomalive të regjistruara. Kjo ndeshje u pezullua paka para së të përfundonte për shkak të dëmtimit të arbitrit kryesor.
Bëhet fjalë për një ndeshje pa interes të veçantë sa i përket renditjes, të cilën bastvënësit e kishin parashikuar me një rezultat të ndryshëm nga ai që prodhonte fusha e blertë.
Meqenëse në Serinë C nuk është parashikuar arbitri i katërt, loja u ndërpre me dëmtimin e gjyqtarit. Ata që kishin vënë shifra të rëndësishme, me mospërfundimin e takimin shmangën humbjet e mëdha. Ky detaj nxiti raportimin e disa agjencive të basteve, jo vetëm italiane.
Zyra e Hetimit në Federatën Italiane të Futbollit, kanë nisur të verifikojë situatën e gjyqtarit, duke shqyrtuar karrierën e tij mes Serisë C dhe Primaveras.
Si rezultat, janë gjetur një seri anomalish: ndëshkime të shumta me kartonë të kuq, penallti të shumta (shpesh dy në një ndeshje, të kombinuara me kartonin e kuq). Sfidat e gjykuara nga ky person në shumë rastet kishin ngjallur protesta të ashpra në fushë. Topi tashmë ka kaluar në fushën e prokurorit, që duhet të gjeja provat për të fundosur “bilbilin” trukues.
Top Channel