Kosovë/ Gjashtë të vdekur dhe 103 raste të reja me COVID-19

17/07/2020 16:26

Në Kosovë është raportuar për 6 raste të reja të vdekjeve nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Që nga fillimi i pandemisë, në mesin e muajit mars, deri më 16 korrik numri i viktimave ka arritur në 124. Një ditë më herët ky numër ka qenë 118.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar se nga testimi i 459 mostrave, kanë rezultuar pozitiv në koronavirus 103 persona. Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 5.472. Aktualisht raste aktive janë: 2708.

Më së shumti raste të të infektuarve vazhdon të ketë Prishtina.

Më 16 korrik janë shëruar 95 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2.640.

Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, njoftoi se deri në fillim të muajit gusht, në Kosovë pritet të arrijnë edhe 50 mijë teste për koronavirus, të siguruara nga donatorët, përkatësisht 45 mijë nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe 5 mijë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Top Channel