“Koha për trajner shqiptar”/ Olsi Rama: Projekti italian dështoi, Sormani la anijen që të mbytej. Nuk ia fal

15/07/2020 20:10

Ditët e fundit te Partizani ka pasur një mori çështjesh siç janë futbollistët që rezultuan pozitivë me Covid-19 apo edhe  trajneri Adolfo Sormani që la skuadrën ditën e derbit ndaj Tiranës.

Për të folur për këto, por dhe shumë tema të tjera që rrethojnë klubin e kuq me ne është drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama. Çfarë ndodhi realisht ditën e derbit? A komunikoi me ju trajneri që nuk do të ishte prezent?

“Ditën e mërkurë stërvitja u krye normalisht dhe në darkë u krye dhe marrja e tamponeve. Ditën e enjte stërvitja u shty tre herë, u zhvillua në orën 21:30 dhe i pyetëm futbollistët si ndiheshin, u matëm dhe temperaturën. Ata ishin në gjendje optimale dhe vendosëm të bënim stërvitjen, seancë ku stafi nuk mori pjesë pa komunikuar me drejtuesit duhet ta them këtë gjë. Ditën e premte u munduam të vendosnim kontakte, por përsëri nuk pati kontakt me drejtuesit”, shprehet Olsi Rama.

Sidorela Gjoni: Pasi Sormani refuzoi të ishte prezent në Air Albania morët vendimin të qëndronit vetë në stol. Çfarë ndodhi pasi përfundoi ndeshja?

“Zgjedhja për të qenë në stol ishte për t’i qëndruar pranë ekipit; më mbrapa ishte i parikuperueshëm raporti me stafin teknik, kështu që u gjet mënyra të ndaheshin rrugët tona”, sqaron Rama.

Sidorela Gjoni: Trajneri ka deklaruar në mediat italiane se ndërprerja e kontratës ka qenë me konsensus nga të dy palët. Si qëndron e vërteta?

“Nëse do vinte në derën e Partizanit sigurisht që do isha unë i pari që do i thoja se një kapiten që lë anijen të mbytet dhe del për vete ne breg nuk ka më moralin të jetë përsëri kapiteni i kësaj anije. Mori shpërblimin përsa i përket punës që kishte bërë deri në këtë moment dhe mund të themi që mori dhe një pagesë, i premë biletën me pak fjalë për të ikur në Itali. Me pak ngacmim do thoja që nëse do kishte vërtet kaq frikë nga pandemia besoj se duke qenë koshient për të zbatuar rregullat, duhej të qëndronte në Shqipëri të kishte bërë 14 ditët e karantinës e pastaj të shkonte pranë familjareve të tij ai dhe stafi. Sigurisht që kemi nisur të mendojmë se kush janë opsionet, do shohim brenda realitetit shqiptar”, sqaron Rama.

Sidorela Gjoni: Kur thoni se trajneri do të jetë shqiptar, a ka gjasa për një rikthim të Skënder Gegës?

“Skënder Gega ka lënë përshtypje të mira padiskutim, sepse është trajneri me të cilin Partizani doli kampion. Nuk përjashtoj asnjë pistë, sepse të gjitha zgjedhjet që bëhen te Partizani janë zgjedhje dhe te presidentit dhe të drejtorit. Për momentin eksperimenti italian është i dështuar, kështu që nuk besoj se do të ketë afrime prej andej.”

Top Channel