Prapaskenat e largimit/ Ish-trajneri i Partizanit nuk takoi asnjë drejtues të klubit para ikjes në Itali

14/07/2020 20:26

Ditën e premte, trajneri Adolfo Sormani duhej të ishte prezent në këtë stadium, për të drejtuar Partizanin në derbin ndaj Tiranës, por duket se frika nga COVID-19, e pengoi të realizonte diçka të tillë.

Mëngjesin e kësaj të marte, ai është nisur drejt Italisë. Si ndodhi divorci i tij me Partizanin? Me cilët komunikoi dhe a është ndërprerë vërtetë me konsensus kontrata ashtu siç vetë ai pretendon?

Top Channel ka mësuar se Sormani, nuk ka realizuar asnjë takim me drejtuesit e klubit, pas ndodhisë në derbi dhe ka qenë vetë avokati i tij, ai i cili në formë zyrtare ka punuar rreth ndërprerjes së kontratës me klubin. Në fakt një ditë më parë, për mediat italiane Sormani është shprehur se kontrata është ndërprerë me konsensus, por në të vërtetë ka qenë klubi pala që donte ndarjen, duke e konsideruar të papranueshëm vendimin e trajnerit ëprt ë lënë skuadrën vetëm ditën e derbit, ku në stol në vend të tij dhe stafit italian, ishin Kalari dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama.

Ajo që mbetet e pakuptimtë është se si trajneri kishte frikë nga COVID-19 dhe nuk u paraqit jo vetën në ndeshje, por as në seancën e fundit stërvitore një ditë përpara derbit.

Sormani është po i njëjti trajner, i cili gjatë periudhës kur Shqipëria ishte në izolim total, bëri kërkesa të vazhdueshme në klub për të nisur stërvitjen dhe klubi e refuzoi kategorikisht duke ndjekur këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një intervistë dhënë për mediat në shtetin fqinj, pra në Itali, Adolfo Sormani, deklaroi se kontrata e tij me Partizanin është ndërprerë me konsensus, por Top Channel ka mësuar se trajneri së bashku me stafin e tij janë paguar nga dita e parë, e deri ditën e fundit që kanë punuar dhe gjithashtu klubi është kujdesur për biletat e kthimit të tre italianëve në shtëpi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA