Intervistimi i Thaçit vijon në Hagë nga Prokurori Special

14/07/2020 11:10

Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Prokurori Special i Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë, do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

Ai vetë e pohoi këtë për mediat, pasi qëndroi për më shumë se gjashtë orë brenda ambienteve të Prokurorisë Speciale.“Dëgjova shkëmbime teknikalitetesh të ndryshme mes avokatit, Pierre-Richard Prosper dhe prokurorëve. Do të thotë çështje sqaruese, teknike. E, në të njëjtën kohë, edhe ato fillestaret të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha kreu i shtetit të Kosovës, duke sqaruar se për këtë arsye, intervistimi do të vazhdojë gjatë ditës së sotme. Përpara se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë Speciale, ai u shpreh i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm dhe aktakuzën për krime lufte, e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Në 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat: vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.Thaçi ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit, nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Top Channel