Thaçi para intervistimit në Hagë: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë!

13/07/2020 13:26

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u paraqit në Hagë për t`u marrë në pyetje me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Para se të hynte në ndërtesë, kreu I shtetit kosovar tha përpara gazetarëve se beson që nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm.

“Sot jam këtu për të respektuar për atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të përballem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është një histori suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Thaçi.

Dhjetëra shqiptarë e prisnin në mbërritje, të mbledhur aty për të protestuar kundër ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Avokati mbrojtës i Thaçit është juristi amerikan me mjaft eksperiencë, Pierre-Richard Prosper, i cili ka shërbyer si Ambasador i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje të krimeve të luftës, në Administratën e ish presidentit George W. Bush.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi në 24 qershor, vetëm tre ditë përpara takimit të organizuar në Washington për dialogun Kosovë-Serbi ku do të merrte pjesë dhe Thaci, se i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti kosovar, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Top Channel