Kosovë, vota me lista të hapura/ Zgjedhësit përdorin numrat për të votuar partitë dhe kandidatët

13/07/2020 21:24

Në Kosovë, zgjedhjet nuk janë një garë vetëm ndërmjet subjekteve të ndryshme politike dhe kandidatëve të tyre për kryeministër, por edhe mes vetë kandidatëve për deputetë nga i njëjti subjekt politik.

E kjo bëhet e mundur pikërisht për shkak të sistemit të listave të hapura të votimit, që praktikohet që nga viti 2007.

“Për ta bërë të mundur garën zgjedhore me lista të hapura, Kosova ka këtë model të fletëvotimit: Në njërën anë janë të renditura emrat e subjekteve politike që certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa në anën tjetër janë 110 numra, pra maksimumi i kandidatëve për deputetë që mund t’i ketë një subjekt politik. Në rast se votuesi harron numrat e kandidatëve të preferuar, në çdo kabinë votimi është vendosura broshura e kandidatëve në të cilën tregohen numrat përkatës të secilit kandidat për deputet”.

Top Channel ka kontaktuar me Zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi i cili ka shpjeguar se si bëhet renditja e subjekteve politike në fletëvotim dhe kandidatëve për deputet?

“Renditja e subjekteve politike në fletëvotim bëhet përmes tërheqjes së shortit, që organizohet nga KQZ-ja para fillimisht të fushatës zgjedhore. Ndërsa KQZ-ja miraton renditjen e kandidatëve sipas vullnetit të subjekteve politike, të cilave u mbetet të respektojnë kuotën gjinore. Çdo kandidat mund të zhvillojë fushatën zgjedhore duke paraqitur numrin e tij para votuesve”.
Më tej, ai ka shpjeguar edhe mënyrën se si plotësohet fletëvotimi:

“Votuesi, në anën e majtë të fletëvotimit duhet të zgjedh vetëm një subjekt politik, ndërsa në anën e djathtë të tij, mund të zgjedh më së shumti deri në 5 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik. Në rast se votuesi, tejkalon këtë numër, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik”.

Për të parë efektin që sjellin në realitet listat e hapura, Top Channel ka analizuar rezultatet e vitit 2019 të 3 subjekteve politike më të mëdha në Kosovë.

Sipas këtyre rezultateve, Vetëvendosje ka siguruar 29 mandate, LDK 28 dhe PDK 24. Nëse listat do të ishin të mbyllura i bie që nga Vetëvendosje deputetë do të ishin vetëm kandidatët deri në numrin 29, të LDK-së deri në numrin 28 dhe të PDK-së deri në numrin 24.
Por, falë listave të hapura, votuesi ka mundur të zgjedhë kandidatët e tij të preferuar. Kësisoj, nga 29 deputetët që ka Vetëvendosje, 7 prej tyre ishin të renditur përtej numrit 29 në listën për deputetë, në LDK 12 përtej numrit 28 dhe në PDK 7 përtej numrit 24.

Në Kosovë, listat e mbyllura ishin praktikuar vetëm në dy procese zgjedhore për Kuvend, ato të vitit 2001 dhe 2004.
Kjo ishte periudha në Kosovën e pasluftës dhe koha kur demokracia kishte filluar të konsolidohej.

Top Channel