Qeveria e Kosovës ka vendosur një sërë masash të reja me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit.

Në mbledhjen e mbajtur sot, ekzekutivi vendosi që mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, ndërsa të moshuarit do të kenë orar të caktuar se kur mund të lëvizin. Në mbledhje u vendos po ashtu që qytetarët nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, duhet të paraqesin një test negativ për koronavirusin i cili të jetë jo më të vjetër se 72 orë.

U caktua dhe orari i kufizimit të lëvizjes për qytetarët në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Fushë Kosovës dhe Shtërpcës nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Orari I ri hyn në fuqi në 13 korrik. Në Kosovë, që prej 13 marsit, e deri më tani janë regjistruar 4,930 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Bilanci i vdekjeve nga kjo sëmundje, ka shkuar në 102. Më herët, ministri I Shëndetësisë Armend Zemaj, njoftoi se në luftën kundër pandemisë do të angazhohet një numër më I madh mjekësh dhe inspektorësh sanitarë.

Top Channel