Presidenti Trump premton rrugë drejt shtetësisë për të rinjtë imigrantë

12/07/2020 02:12

Presidenti Donald Trump thotë se do të nënshkruajë së shpejti një urdhër ekzkutiv për imigracionin që përfshin një mundësi për shtetësi për të rinjtë e ardhur ilegalisht në SHBA në moshë të mitur. Në një intervistë me kanalin në gjuhën spanjolle, Telemundo, presidenti tha se programi DACA që i ka mbrojtur këta të rinj nga deportimi i menjëhershëm nuk do të zhbëhet. “Do t’u ofrojmë këtyre të rinjve një rrugë drejt shtetësisë,” tha ai.

Por nuk do të ketë amnisti, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere, pas intervistës së presidentit. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë theksonte se urdhri ekzekutiv do të krijonte një sisitem imigrimi në bazë të meritave dhe se presidenti do të punonte me Kongresin për një zgjidhje legjislative “që mund të përfshijë shtetësinë, si dhe kontrollin e fortë të kufijve dhe reforma mbi bazë meritash,” por jo amnisti.

Administrata Trump më parë është përpjekur të eliminojë programin DACA, i krijuar gjatë administratës Obama për të mbrojtur mbi 700 mijë imigrantë. Presidenti nuk dha hollësi për elementë të tjerë në urdhrin e ardhshëm ekzekutiv për imigracionin, por tha vetëm se “do të përfshijë DACA-n dhe mendoj se njerëzit do të mbeten shumë të kënaqur”. Kur u pyet nëse ndryshimet do të bëhen përmes një urdhri ekzekutiv apo një ligji në Kongres, zoti Trump tha se kur dha gjykimin e saj për DACA-n muajin e kaluar, Gjykata e Lartë i kishte dhënë atij “kompetenca të jashtëzakonshme” për të miratuar urdhra ekzekutive.

Gjykata doli me vendimin se administrata nuk kishte dhënë arsyetime të mjaftueshme për të eliminuar DACA-n. Vendimi i gjykatës nuk thoshte nëse të rinjtë e mbrojtur nga programi DACA kanë të drejta të përhershme për të jetuar në SHBA dhe nuk e pengonte Presidentin Trump të përpiqej përsëri për ta anuluar programin. Zëdhënësi Deere tha se presidenti “po punon për një urdhër ekzekutiv për të krijuar një sistem imigracioni të bazuar te meritat në mënyrë që të mbrojë edhe më shumë punonjësit amerikanë”. Presidenti ka thënë se do ta nënshkruajë urdhrin brenda katër javëve të ardhshme.

Senatori republikan Ted Cruz i kritikoi planet e presidentit, duke postuar një koment në Twitter “Presidenti ka zero autoritet kushtetues për të hapur “rrugë drejt shtetësisë” përmes akteve ekzekutive” shkruante ai. Udhëheqësit në Kongres janë përpjekur në disa raste gjatë viteve të fundit të miratojnë reforma gjithëpërfshirëse por nuk kanë pasur sukses si rezultat i mospajtimeve të mëdha mes propozimit të republikanëve dhe atij të demokratëve./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA