Që prej shpërthimit të pandemisë Covid-19, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vendosur për herë të parë një maskë, duke lënë kështu mënjanë “rebelizmin” e tij.

Trump u pa me maskën gjatë një vizite në spitalin ushtarak Walter Reed jashtë Uashingtonit, ku u takua me ushtarë të plagosur dhe punonjës të kujdesit shëndetësor.

Edhe pse së fundi kishte filluar ta zbuste qëndrimin për maskën, duke thënë madje edhe se i shkonte, shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte preferuar gjithmonë të mos e vendoste në evente publike. Vetëm një herë bëri përjashtim, gjatë një ndalese në një fabrikë të Fordit në Michigan, ku ishin duke prodhuar pajisje mjekësore si respiratorë e maska. Edhe atëherë këmbënguli se e kishte mbajtur vetëm “pas kuintave”.

“ Nuk desha ta shihte shtypi, nuk doja t’ia jepja këtë kënaqësi”, qe shprehur asokohe.

Këtë herë, toni është ndryshe.

“Mendoj se është e rëndësishme të përdoret maska kur je në një spital, kur flet me ushtarë apo njerëz që në disa raste mund edhe të porsa kenë dalë nga salla e operacionit. Nuk kam qenë kurrë kundër maskave, thjesht duhen përdorur në kohën dhe vendin e duhur”, tha Trump.

Shtetet e Bashkuara janë në një periudhë të vështirë dhe sfiduese të luftës kundër koronavirusit, siç pohoi dy ditë më parë edhe vetë kreu i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, i cili theksoi se rritja e numrit të të infektuarve dhe viktimave vjen pasi shumë shtete të SHBA-së filluan rihapjen e bizneseve dhe lehtësimin e urdhrave të qëndrimit në shtëpi, përpara se të shihnin një ngadalësim të shkallës së infeksionit.

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA