Rregulloret e reja të njoftuara nga autoritetet amerikane të imigracionit kërkojnë që studentët e huaj të largohen nga SHBA nëse nuk ndjekin mësimet fizikisht në klasë. Por studentët që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara me vizë F-1 tani përballen me problemet e udhëtimit për t’u kthyer në vendet e tyre në këtë periudhë pandemie që ka kufizuar shumë fluturime.
Studentët e huaj që kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara ku ndjekin mësimet online në kushtet e pandemisë së koronavirusit, tani duhet të largohen në bazë të rregulloreve të reja të autoriteteve të imigracionit: “Nuk dua të vë në rrezik familjen. Nuk dua të rrezikoj as veten duke udhëtuar për në Pakistan. Edhe nëse i shtyj kurset universitare për një vit më pas, nuk e kam të garantuar se më japin përsëri vizë,” thotë një student i huaj.
Shumë studentë thonë se u duhet të qëndrojnë në SHBA jo vetëm për të ndjekur mësimet: “Për studimet e mia për doktoraturë më duhet të shkoj vazhdimisht në bibliotekë. Tani, për shkak të COVID-it nuk kam qasje në bibliotekë,” thotë një student i huaj. Vendimi pason njoftimin e universiteteve amerikane në mars për të transferuar procesin mësimdhënës në platforma dixhitale përmes internetit për të mbrojtur nxënësit nga infektimi. Disa studentë u kthyen në atdhe, të tjerë qëndruan në SHBA.
“Më shumë se 90% e studentëve të huaj që vazhdonin studimet në Shtetet e Bashkuara kur pandemia bëri të nevojshme mbylljen e shkollave vendosën të qëndrojnë këtu. Tani ky vendim sjell shumë kokëçarje e ndërprerje si dhe paqartësi të mëdha,” thotë Lynn Pasquerella e Shoqatës së Universiteteve Amerikane. Studentët që ndodhen jashtë kufijve amerikanë thonë se vendimi i pengon të kthehen.
“E di me fakte se studentët e huaj, kur është fjala te rregulloret, ligjet e gjëra të tjera të ngjashme, trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, madje nuk mund ta përdor fare termin “qytetar” për këtë situatë, sepse ata janë shtetas të huaj,” thotë studenti i huaj, Rafael Lima. Administrata e Presidentit Trump tha këtë javë se politika e re nuk ka nevojë për shpjegime: mësimet përmes internetit nuk kërkojnë vizë. Por kritikët thonë se ky vendim do të dëmtojë arsimin e lartë, ekonominë dhe diplomacinë amerikane.
“Nuk duket që kjo është politikë e peshuar mirë. Nuk do të shërbejë për të mbrojtur shëndetin apo sigurinë vetjake të individëve. Nuk do t’i shërbejë ekonomisë amerikane në asnjë mënyrë, sidomos për faktin se studentët e huaj sjellin 40 miliardë dollarë të ardhura në vit dhe përbëjnë 5.5% të numrit të studentëve në universitetet amerikane,” thotë zonja Pasquerella.
Universitetet Harvard dhe MIT kanë ngritur padi për të sfiduar rregullat e reja. Pritet që edhe universitete të tjera të ndjekin këtë shembull. Ndërkohë që universitetet përpiqen të hartojnë planet më të mira për vitin e ardhshëm shkollor, studentët e huaj mbeten pezull, të paqartë mbi të ardhmen e studimeve në universitete amerikane./VOA
Top Channel