Banorët e fshatit Shtyllas iu drejtuan emisionit “Fiks Fare”, pasi denoncojnë dy mbikalimet e papërfunduar në Bypass-in e Fierit.

Rreth dy javë më parë, kryeministri Edi Rama inaguroi përfundimin e Bypassit, por mesa duket ende nuk ka përfunduar. Mosndërtimi i dy mbikalimeve të Shtyllasit dhe të Pojanit, sjell shqetësim për banorët, pasi e kanë të pamundur të kalojnë autostradën nga fshati për të punuar tokat apo e anasjelltas. Banorët shprehen se për të shkuar nga shtëpia deri te toka, i duhet të bëjnë një rrugë prej 20 km.

Ata e kanë të pamundur të marrin prodhimet nga toka, pasi është kosto në transport. Kryeplaku i fshatit Vaso Ciko shprehet se kanë kontaktuar me një nga inxhinierët e firmës ndërtuese se kur do të përfundojë ndërtimi i dy mbikalimeve dhe se përgjigja që ka marrë është se për disa ditë përfundon. Ndër të tjera kryeplaku thekson se ndonëse kanë kaluar disa ditë ende nuk është marrë asnjë masë apo nuk kanë nisur punimet për ndërtimin e mbikalimeve.

Ndërkohë, Fiksi kontaktoi me inxhinierin Andi Goxha se kur do të jetë afati përfundimtar i ndërtimit të mbikalimeve. Goxha u shpreh se këto mbikalime për 10 ose 12 ditë do të përfundojnë së ndërtuari.

Gjithashtu për të marrë një informacion të saktë se kur do të ndërtohen këto mbikalime, Fiksi iu drejtua kompanisë “Combined Grup Contractin & Alb Building” duke i kërkuar informacion rreth afatit të përfundimit të rrugës si dhe pse këto mbikalime kanë mbetur të papërfunduar.

Në përgjigje të saj, kompania shprehet se i ka përshpejtuar punimet, në aksin kryesor të autostradës duke i përfunduar ato në datën 15 qershor 2020, 2 muaj përpara afatit të përfundimit të Kontratës, e cila është datë 15 gusht 2020. Ky përshpejtim dhe modifikim i grafikut të punimeve u bë për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve para fillimit të sezonit turistik. Në këto kushte punimet në mbikalimin e km 16 dhe disa punime të tjera janë duke u kryer gjatë kësaj periudhe në përputhshmëri të plotë me afatet e kontratës.

Top Channel