Gjykata e Durrësit ka vendosur sot mosfillimin e hetimeve për çështjen e Bilbil Hasanit.
Seanca u zhvillua pas ankimimit të së shoqes ndaj vendimit të prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës, për mosnisjen e hetimeve. Bashkëshortja e Bilbil Hasanit, Mirjeta kishte ankimuar vendimin në fjalë, sa i takon vetëvarjes së Hasanit në ambientet e burgut 313.
Sipas avokatit, ShKB e Ministrit të Drejtësisë e ka referuar çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme e më pas i kaloi Prokurorisë së Tiranës që vendosi pushimin e çështjes. Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Tiranës që vendosi rifillimin e hetimeve.
Sipas ligjit u caktua që të gjykohet mbi pushimin e çështjes në Durrës, po gjithashtu akuza durrsake vendosi mosfillimin e hetimeve. Avokati i Mirjeta Hasanit ka deklaruar se do e ankimojë sërish çështjen duke akuzuar prokurorin Afrim Shehu në Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjyqtarin Petraq Curri për shpërdorim detyre. Avokati e quajti një vrasje të dytë vendimin e gjyqësorit.
Hasani me banim në Kamëz ishte arrestuar për vjedhjen e 1200 lekëve.
Top Channel